Botë

Lindjen e Mesme, lufta hyn në javën e pestë

28.03.2026 14:19

Huthët e Jemenit, të mbështetur nga Irani, qëlluan një raketë drejt Izraelit...

Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në javën e saj të pestë. Huthët e Jemenit, të mbështetur nga Irani, qëlluan një raketë drejt Izraelit për herë të parë që nga fillimi i konfliktit dhe kërcënuan me luftë kundër çdo aleati të ri të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
 
“Forcat e armatosura të Jemenit, me ndihmën e Allahut të Plotfuqishëm, kanë kryer operacionin e tyre të parë ushtarak, duke lëshuar raketa balistike që shënjestruan objektiva të ndjeshme ushtarake të armikut izraelit. Ky operacion ka arritur me sukses objektivat e tij, por ne do të vazhdojmë derisa të arrihen të gjitha objektivat e deklaruara dhe derisa të ndalet agresioni në të gjitha frontet e rezistencës.”, u shpreh zëdhënësi i ushtrisë Huthi, Yahya Sari.
 
Irani ka thënë se ka kryer sulme të shumta ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe forcat e tij mbajnë kontroll të zgjuar dhe të fuqishëm mbi Ngushticën e Hormuzit.
 
“Luftëtarët tanë të përkushtuar, ndërsa mbajnë kontroll të zgjuar dhe të fuqishëm mbi Ngushticën e Hormuzit dhe mbajnë iniciativën në Gjirin Persik, do të vazhdojnë të sulmojnë pozicionet e armikut në rajon me forcë.”, u shpreh një nga zëdhënësit e Hatam al-Anbiya, Ebrahim Zolfaghari.
 
Të paktën një person u vra në Tel Aviv pas një sulmi ndaj Izraelit vonë natën e kaluar. Zona u godit nga municione thërrmuese të lëshuara nga Irani.
 
“Policia izraelite reagoi pasi regjimi iranian sulmoi përsëri popullsinë tonë civile. Fatkeqësisht, si rezultat i municioneve thërrmuese që u qëlluan ndaj civilëve, kemi një viktimë. Kemi katër të tjerë që u evakuuan në spital.”, u shpreh zëdhënësi i policisë së Izraelit, Dean Elsdoon.
 
Presidenti Trump siguron se ushtria e tij po arrin qëllimet e saj në luftën kundër Iranit.
 
“Jemi më afër se kurrë një Lindjeje të Mesme që më në fund është e lirë nga terrori, agresioni dhe shantazhi bërthamor iranian. Nën udhëheqjen time, Amerika po i jep fund kërcënimit të paraqitur nga ky regjim radikal, duke shkatërruar aftësitë e Iranit me Operacionin Epic Fury, të ngjashëm me të cilin askush nuk ka parë ndonjëherë. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme në botë.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Sulmi ndaj bazës ajrore “Princi Sultan” përfshinte një raketë dhe dronë iranianë. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI