Ekonomi

Mickoski: Çmimi i naftës i njëjtë ose gjysmë denari më shumë

28.03.2026 15:23

Të hënën, Komisioni Rregullator i Energjetikës do të shpallë çmimet e reja të karburanteve...

Të hënën, Komisioni Rregullator i Energjetikës do të shpallë çmimet e reja të karburanteve. Qeveria pret ulje të çmimeve të benzinës dhe rritje të njëjtë ose prej gjysmë denari të çmimit të naftës. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se masa për uljen e TVSH-së po jep rezultatet e pritura. Ai siguron se Qeveria po e monitoron situatën dhe, nëse është e nevojshme, do ta zgjasë masën edhe për dy javë të tjera ose do të ulë akcizat. Për momentin, situata është e qëndrueshme dhe nuk ka nevojë për kufizime. Sipas Mickoskit, edhe përkundër çmimit aktual të karburanteve nuk ka pasur rënie të përdorimit, ndërsa konsumi në zonat kufitare të vendit është rritur, ose siç theksoi ai, tani është më i lartë- rreth 200 mijë litra në ditë. 

“Tani për tani, sfida sigurisht se do të ketë, por në këtë moment mund të them se jemi stabil dhe nuk kemi nevojë për restrikcione apo ndalesa plotësuese. Zvogëlimi i TVSH-së do të jetë ndër shembujt e rrallë në Evropë që do të ndikojë në uljen e çmimeve të derivateve. Do ta ndjekim gjendjen dhe do të reagojmë në përputhje me të.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Masa të vonuara, të gjitha produktet më shtrenjtë
 
Sipas kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, masat e miratuara nga Qeveria janë të vonuara dhe jo të plota. “Tani gjithçka është shtrenjtuar”, tha Filipçe. Ai shtoi se çmime të ngjashme të derivateve ka edhe në vende evropiane ku paga minimale kalon 1000 euro. 
 
“Masat janë absolutisht të vonuara. Nuk e kuptoj çfarë shpjegon kryeministri kur thotë se do të ketë vetëm rritje të vogël të çmimit të dizelit. A janë masat për ulje apo për rritje të çmimeve? Si duket, ne jemi vendi i vetëm në rajon, por me gjasë edhe në botë, që miraton masa ndërkohë që çmimet e derivateve rriten. Një vend i tillë, thjesht, nuk ka.”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Komisioni Rregullator i Energjetikës vendosi të hënën e kaluar që çmimi i benzinës të mbetet i njëjtë, ndërsa nafta të rritet me 3.5 denarë për litër.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI