Maqedoni
Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, BDI: Ligji i qartë duhet të zbatohet
29.03.2026 12:57
Debati për përdorimin e gjuhës shqipe për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe është rikthyer në qendër të vëmendjes...

Debati për përdorimin e gjuhës shqipe për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe është rikthyer në qendër të vëmendjes, duke nxitur përplasje mes BDI-së dhe përfaqësuesve të koalicionit VLEN. Sipas BDI-së nuk ka nevojë për iniciativa të reja apo harmonizime ligjore, por vetëm për zbatim të menjëhershëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ata thonë se ligji është i qartë dhe i zbatueshëm drejtpërdrejt, duke garantuar përdorimin e gjuhës shqipe edhe në provimet profesionale si ai i jurisprudencës.
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lex specialis dhe si i tillë ai zbatohet drejtpërdrejt dhe ka përparësi në raport me ligjet e tjera. Ky ligj është i qartë, preciz dhe i plotë në situatat që i parasheh, përfshirë edhe përdorimin e gjuhëve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit. Për këtë arsye, çdo iniciativë për harmonizim të ligjeve të tjera me arsyetimin se vetëm pas harmonizimit mund të zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe përbën shkelje të rendit juridik dhe relativizim të një të drejte të garantuar me ligj.”, thuhet në kumtesën e BDI-së.
VLEN: Problemet e trashëguara do ti zgjidhim
Por nga radhët e koalicionit VLEN kanë kritikuar BDI-së, duke e akuzuar për hipokrizi dhe mosveprim ndër vite. Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, që vjen nga ky koalicion ka deklaruar se provimi i jurisprudencës historikisht është zhvilluar vetëm në gjuhën maqedone dhe se gjatë gjithë periudhës kur BDI ka qenë pjesë e pushtetit, kjo çështje nuk është ngritur për zgjidhje.
“Provimi i jurisprudencës gjithmonë është mbajtur në gjuhën maqedone, të gjithë funksionarët e BDI-së e kanë dhënë provimin në maqedonisht dhe asnjëri ministër shqiptar i drejtësisë nga radhët e BDI-së asnjëherë nuk ngriti nevojën për ta zgjidhur këtë çështje.”, ka deklaruar Beqiri.
Sipas tij problemet e trashëguara nga, keqqeverisja e kaluar janë të shumta, por sipas tij, ato do të adresohen dhe zgjidhen gradualisht.
FLORIJE BELULI KAMBERI
