Maqedoni

Propozim-ligji për arsimin e lartë, Sulejmani: Nuk cënohet autonomia universitare

29.03.2026 13:47

Të hënën, në Regjistrin Kombëtar të Rregulloreve do të vendoset sërish propozim-ligji për arsimin e lartë...

Të hënën, në Regjistrin Kombëtar të Rregulloreve do të vendoset sërish propozim-ligji për arsimin e lartë me ndryshimet që pasuan pas debatit publik dhe sugjerimeve të universiteteve. Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, në emisionin 1+1 në TVM2, ka vlerësuar lart nivelin e debatit publik në vend, pasi që, sipas tij, të gjitha nivelet institucionale arsimore dështojnë pikërisht nga një sistem jo i duhur arsimor. Pas miratimit në qeveri, mundësinë për plotësim të propozim ligjit përmes amendamenteve do ta kenë edhe partitë politike.
 
“Sistemi arsimor në përgjithësi nuk është ashtu siç dëshirojmë të jetë, kjo i ka efektet pastaj dhe në arsimin fillor dhe të mesëm dhe vazhdimisht përmes funksionimit të tillë po krijojmë kuadro që nuk po na sjellin zhvillim. Nga dita e hënë pritet që ligji të dalë në sistemin ENER, pas kësaj duhet të kalojë procedurat qeveritare, do të miratohet në qeveri dhe në fund do t’i nënshtrohet procedurës parlamentare, ku përveç universiteteve që kanë qenë të kyçura në debat, e kanë mundësinë dhe partitë politike që të kontribuojnë në debatin për Ligjin e arsimit të lartë, por ndoshta dhe me ndonjë amendament për të përmirësuar diku ku ata mendojnë se eventualisht do të rritej cilësia e arsimit të lartë.”, u shpreh zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
 
Sulejmani garantoi se propozim ligji i ri nuk do të cenojë autonominë e universiteteve. Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.
 
“Ajo që ka qenë në interesin tonë është që të bëhet qartësim më i mirë i dispozitave që lidhen me autonominë universitare, për arsye se u krijua mjegull se Ministria e Arsimit ka për qëllim që të cenojë autonominë. E tani diskutimet ishin që të precizojmë në mënyrë të qartë të gjitha nenet që e garantojnë autonominë universitare.”, u shpreh Sulejmani.
 
Nga debati publik për propozim ligjin për arsim të lartë u pranuan disa nga propozimet, edhe atë: një punim më pak si kriter për diplomë masteri dhe doktoraturë, publikimin e punimeve në bazën e të dhënave Scopus për shkencat humane dhe shoqërore, një përqindje të reduktuar të garancisë bankare për universitetet private, kritere të reja për kryerjen e studimeve të ciklit të tretë sipas kërkesave të universiteteve, etj.
 
FITORE NAGAVCI