Ekonomi

Tetovë, çmimet rekord të pemëve dhe perimeve

29.03.2026 14:10

Pemët dhe perimet janë bërë luks për qytetarët në tregun e Tetovë.....

Pemët dhe perimet janë bërë luks për qytetarët në tregun e Tetovë. Çmimet kanë arritur tavanin, ndërsa rekord për momentin mbajnë specat, të cilët kanë kaluar mbi 300 denarë për kilogram. Pas tyre vijnë domatet me rreth 250 denarë, ndërsa kastravecat dhe lakra kanë kaluar mbi 100 denarë për kilogram.
 
Çmimet e larta po rëndojnë gjithnjë e më shumë buxhetin familjar. Qytetarët për TVM2 thonë se për shkak të shpenzimeve të shumta janë të detyruar të blejnë më pak pemë dhe perime.
 
“Më duket se janë luks. Tash harxhimet janë të shumta dhe shtëpia ka nevojë për shumë gjëra. Është shtrenjtë nafta dhe të tjerat, por s’kemi çfarë të bëjmë.”, u shpreh një qytetar.
 
“Lart janë çmimet, por s’kemi çka bëjmë. Pensionet nuk na dalin, por kemi gurbetçarë, përndryshe do ta kishim shumë vështirë.”, tha një qytetar.
 
Edhe shitësit në treg për TVM2 thonë se çmimet e larta kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen e shitjeve. Ata mendojnë të ndalin furnizimin deri sa çmimet të stabilizohen.
 
“Çmimet janë katastrofë për momentin, janë marramendëse. Specat 300 denarë, domatet 250. Marullat dhe kastravecat janë më lirë, por qytetarët nuk kanë para.”, u shpreh një shitës.
 
“Shumë dobët është shitja. Patëllxhani është 250 denarë, specat 300 denarë. Nuk kemi blerës.”, tha një shitës.
 
Sipas profesorit universitar Arben Halili, në situata të tilla institucionet duhet të ndërmarrin masa konkrete për stabilizimin e tregut.
 
“Në situata të jashtëzakonshme mund të aplikohen edhe masa të përkohshme si vendosja e çmimeve tavan për produktet esenciale, me qëllim stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.”, tha për TVM2 profesori universitar Arben Halili.
 
Sipas Halilit duhet mbështetja e prodhimit vendor, rritja e transparencës në treg dhe intensifikimi i kontrolleve nga institucionet kompetente mund të ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve dhe në lehtësimin e barrës financiare për qytetarët.
 
VISAR SADIKI