Maqedoni

Kadriu dhe Mustafa: Badenteri në kushtetuese, ligjet me 2/3 nuk rrëzohen me shumicë të thjeshtë

29.03.2026 14:23

Debati rreth mënyrës së votimit në Gjykatën Kushtetuese po artikulohet gjithnjë e më qartë nga ekspertët juridikë...

Debati rreth mënyrës së votimit në Gjykatën Kushtetuese, në raport me ligjet e miratuara me shumicë të cilësuar në Kuvend, po artikulohet gjithnjë e më qartë nga ekspertët juridikë, të cilët kërkojnë një standard të njëjtë vendimmarrjeje mes institucioneve. Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu dhe eksperti juridik Milazim Mustafa janë në një linjë të përbashkët se ligjet që miratohen në Kuvend me dy të tretat e votave ose përmes parimit të Badenterit nuk duhet të mund të anulohen apo abrogohen nga Gjykata Kushtetuese me një shumicë të thjeshtë. Sipas tyre, ligjvënësi duhet të përcaktojë që për ligjet e miratuara me shumicë të cilësuar, edhe Gjykata Kushtetuese të vendosë me të njëjtin standard, duke garantuar kështu koherencë, legjitimitet dhe barazi në sistemin juridik dhe ndërmjet komuniteteve.
 
Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu thekson se praktika e deritanishme në Gjykatën Kushtetuese ka shmangur vullnetin e shprehur në Kuvend. Sipas tij votimi me badenter në Kushtetuese nuk paraqet pengesë juridike.
 
“Po assesi nuk është pengesë juridike; jo vetëm që nuk është pengesë juridike, por e kundërta – pengesë juridike është që në çështjet e përmendura të miratohet vendimi, të sillet vendimi vetëm me shumicë të thjeshtë. Kjo është pengesë juridike dhe mund ta vërë në pikëpyetje legjitimitetin e vendimeve që miratohen në këtë mënyrë. E kundërta është mëse ligjore, është kushtetuese, është e arsyeshme… Ligji që sjell Kuvendi me Badenter apo me 2/3, që është një shumicë e cilësuar, assesi nuk mund të vihet në pyetje fakti juridik i tyre vetëm me shumicën e thjeshtë, siç veprohet tash. Nëse sigurohet kjo shumicë e cilësuar, atëherë do të jemi të bindur se drejtësia vjen në shprehje, meqenëse në këtë numër, tetë anëtarë të gjykatës të votojnë për këto ligje; në atë shumicë është e inkorporuar edhe shumica e Badenterit.”, u shpreh gjykatësi kushtetues Osman Kadriu.
 
Në të njëjtën frymë, eksperti juridik Milazim Mustafa se kjo metodë e funksionimit paraqet një standard të dyfishtë dhe të papranueshëm nëse ligje të miratuara me konsensus të gjerë politik dhe etnik në Kuvend mund të rrëzohen nga një shumicë e thjeshtë në Gjykatën Kushtetuese. Çështja e Badenterit nuk duhet të shihet vetëm si mekanizëm politik, por si një mekanizëm i mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve që nuk janë shumicë nga majorizimi.
 
“Nuk janë vetëm institucionet politike që e aplikojnë sistemin e shumicës së dyfishtë, por kemi edhe institucione juridike, si p.sh. Këshillin Gjyqësor dhe organe të tjera, të cilat, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të kandidatëve që janë nga komunitete të tjera jo-shumicë, kërkojnë edhe votën e anëtarëve që nuk janë maqedonas, me qëllim që të mbrohen të drejtat e këtyre personave nga majorizimi. Çështja është mëse e domosdoshme, sepse duhet të jetë në korrelacion me vendimet që i sjell Kuvendi dhe të cilat janë në përputhje me Kushtetutën. P.sh., në Kushtetutë kemi një sërë ligjesh që miratohen me shumicë të dyfishtë; andaj, me çfarë të drejte legjitime dhe morale Gjykata Kushtetuese, me vendime të 6 apo 5 pjesëmarrësve, t’i abrogojë apo t’i anulojë ato ligje që Kuvendi i ka miratuar me shumicën e dyfishtë?”, eksperti juridik Milazim Mustafa.
 
Kadriu dhe Mustafa kundërshtojnë qëndrimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski, i cili është shprehur kundër zbatimit të parimit të Badenterit në këtë institucion. Sipas tyre, një qasje e tillë nuk është në përputhje me frymën kushtetuese dhe rrezikon të krijojë pabarazi në sistemin juridik.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI