Maqedoni

DAP intensifikon kontrollet: Nuk ka tolerancë për bizneset pa pajisje fiskale

29.03.2026 14:59

Drejtoria e të Ardhurave Publike ka intensifikuar kontrollet në terren me qëllim luftimin e ekonomisë joformale dhe rritjen e disiplinës fiskale në vend....

Drejtoria e të Ardhurave Publike ka intensifikuar kontrollet në terren me qëllim luftimin e ekonomisë joformale dhe rritjen e disiplinës fiskale në vend. Fokusi i aksionit janë subjektet që ushtrojnë veprimtari dhe realizojnë qarkullim pa sistem fiskal të regjistruar. Sipas të dhënave zyrtare, 6.451 tatimpagues aktivë me të punësuar nuk posedojnë pajisje fiskale për evidentimin e pagesave në para të gatshme. Gjithashtu, DAP ka identifikuar edhe 13.966 tatimpagues të tjerë në këto sektorë pa pajisje fiskale të regjistruara, për të cilët do të realizohen kontrolle në terren.
 
“Drejtoria e të Ardhurave Publike për më shumë se një vit ka zbatuar aktivitete të ndryshme dhe kontrolle të intensifikuara në lidhje me regjistrimin e transaksioneve me para në dorë dhe lëshimin e kuponëve fiskalë. Tani njoftojmë se po i drejtojmë kontrollet drejt bizneseve aktive, paguesve të TVSH-së dhe personave që nuk kanë fare pajisje fiskale të regjistruar dhe punojnë në aktivitete ku pagesat me para në dorë janë më të zakonshme, siç janë tregtia, hoteleria, shërbimet turistike, shërbimet ligjore të kontabilitetit, etj. Konkretisht, nga analizat tona detektuam mbi 6 mijë kompani aktive që nuk kanë fare pajisje fiskale të regjistruar, si dhe rreth 14 mijë subjekte në këto aktivitete që as nuk kanë punonjës të regjistruar. Mesazhi ynë është se nuk ka tolerancë për bizneset pa pajisje fiskale.”, u shpreh drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova.
 
DAP thekson se mosrespektimi i dispozitave ligjore përbën kundërvajtje, për të cilën parashihen gjoba financiare dhe mbyllje e objekteve afariste, sipas ligjit. DAP u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që realizojnë qarkullim me pagesa në para të gatshme dhe nuk kanë sistem fiskal të regjistruar, të ndërmarrin masa urgjente për harmonizim vullnetar, duke siguruar, instaluar dhe regjistruar pajisje fiskale përmes operatorëve të autorizuar dhe sipas procedurave të përcaktuara. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI