Maqedoni
Jovanovski gjykohet për tragjedinë familjare
30.03.2026 09:15
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot nis procesi gjyqësor kundër Stojançe Jovanovskit...

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot nis procesi gjyqësor kundër Stojançe Jovanovskit, i cili akuzohet për disa vepra penale lidhur me ngjarjen tragjike të 2 marsit, kur bashkëshortja e tij, Ivana Jovanovska, së bashku me vajzën e tyre 6-vjeçare, i dhanë fund jetës.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari ngarkohet për lëndim trupor të kryer si vepër e vazhdueshme në kuadër të dhunës në familje, rrezikim të sigurisë, si dhe për shtytje dhe ndihmë në vetëvrasje.
Nga dëshmitë e mbledhura rezulton se në periudhën nga viti 2019 e deri në ditën e ngjarjes tragjike, Jovanovski ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën ishte në proces divorci. Ajo, si dhe dëshmitarë të tjerë, në disa raste i kishin denoncuar incidentet në institucionet kompetente. Prokuroria thekson se dhuna është intensifikuar gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Sipas aktakuzës, në gjendje të rëndë shqetësimi psikik, frike dhe ndjenje pa shpresë, ajo u hodh nga ballkoni i banesës në katin e gjashtë së bashku me vajzën e saj.
