Botë
Anija ruse me naftë arriti në brigjet e Kubës
30.03.2026 11:35
Sipas njoftimit, anija pritet të shkarkojë ngarkesën në portin e Matanzas....

Tankeri rus Anatoli Kolodkin, që transporton një ngarkesë humanitare prej 100.000 tonësh naftë bruto, ka mbërritur në Kubë. Sipas njoftimit, anija pritet të shkarkojë ngarkesën në portin e Matanzas.
Të dhënat e gjurmimit të anijeve nga LSEG treguan se mjeti po lëvizte përgjatë bregut verior të Kubës, pasi presidenti amerikan Donald Tramp sinjalizoi të dielën se po ndryshonte qëndrim lidhur me bllokimin e dërgesave të naftës drejt vendit, duke deklaruar se “nuk kishte asnjë problem” me vendet që dërgojnë naftë në shtetin karebian.
Shtetet e Bashkuara ndërprenë eksportet e naftës nga Venezuela drejt Kubës pas rrëzimit të presidentit venezuelian Nikolas Maduro më 3 janar, ndërsa Trampi kishte kërcënuar me tarifa ndëshkuese çdo vend tjetër që do të dërgonte naftë në Kubë. Meksika, furnizuesi më i madh i Kubës së bashku me Venezuelën, më pas ndaloi dërgesat e saj. Si pasojë, Kuba nuk ka marrë asnjë tanker nafte për tre muaj, sipas presidentit Miguel Diaz-Canel, duke përkeqësuar krizën energjetike që ka çuar në një seri ndërprerjesh të energjisë në vendin me 10 milionë banorë. Zyrtarët kubanë të shëndetësisë thonë se kriza ka ndikuar rëndë edhe te pacientët me kancer në vend, veçanërisht tek fëmijët.
