Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve hodhi poshtë pretendimet e Ristoskës për presione politike
30.03.2026 14:04
Këshilli i Prokurorëve Publikë njëzëri hodhi poshtë iniciativën e prokurores publike Lençe Ristoska

Këshilli i Prokurorëve Publikë njëzëri hodhi poshtë iniciativën e prokurores publike Lençe Ristoska, në të cilën ajo pretendonte se ishte e ekspozuar ndaj presioneve politike dhe ndikimeve të jashtme lidhur me veprimtarinë e saj. Në arsyetimin e Këshillit u theksua se pretendimet e paraqitura nuk janë mjaftueshëm të konkretizuara për të vërtetuar një ndikim real mbi pretendimet se, në një deklaratë publike të kryeministrit Hristijan Mickoski, i është cenuar pavarësia dhe integriteti i saj profesional. Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve e arsyetuan këtë vendim duke thënë se deklaratat publike dhe sulmet, edhe pse të papërshtatshme, nuk kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me vendimmarrjen e prokurores.
“Me vetë faktin se kolegia Lençe Ristoska në procesverbal kishte shënuar qëndrime jokonkrete, duke u thirrur që nga viti kur ka filluar me punë në Prokurorinë Speciale e deri më sot dhe për këtë arsye ne vlerësuam se në rastin konkret prokurores publike nuk i është cenuar dhe as nuk është ekspozuar ndaj presioneve politike. Në rastin konkret, ne vlerësuam se kryeministri në asnjë moment nuk e ka përmendur emrin e Lençe Ristoskës dhe për këtë arsye vlerësuam se nuk ka shkelje. Lëndën e kemi shqyrtuar më hollësisht dhe kemi marrë informacione dhe shkrime nga të gjitha mediat, madje edhe nga gazetarët dhe morëm vendim se nuk ka shkelje.”, - deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Besimi.
Në seancë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve morën edhe disa vendime të tjera, ndër të cilat edhe shpallja e konkurseve për zgjedhjen e prokurorëve publikë në disa prokurori në të gjithë vendin, si dhe vazhdimi i procedurave për shqyrtimin e lëndëve disiplinore për prokurorin Jovan Cvetanovski.
“Ne rishikuam vendimin dhe ankesën dhe konstatuam se ka lëshime në procedurën e komisionit të shkallës së parë dhe ne, si Këshilli i Prokurorëve, nuk mund t’i rishqyrtojmë, dhe për këtë arsye e kthejmë lëndën nga e para me udhëzime të qarta. Më pas, Komisioni do të marrë sërish vendim dhe nëse i njëjti vendim përsëri ankimohet, ne përsëri do të marrim vendim.”, - theksoi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Besimi.
Deklaratat e kryeministrit Mickoski u bënë si pjesë e kritikave ndaj qëndrimeve të Ristoskës mbi ndryshimet në Kodin Penal, pas të cilave ajo kërkoi falje publike. Tensionet u shtuan më shumë pasi Qeveria e anuloi listën e kandidatëve për gjyqtar në Strasburg, në të cilën Ristoska ishte ndër më të renditurat, pas së cilës ajo vlerësoi se është e ekspozuar ndaj sulmeve dhe diskreditimeve të vazhdueshme publike lidhur me punën e saj.
REXHEP QAMILI
