Botë
Konflikti në Lindjen e Mesme, përpjekje diplomatike për paqe
30.03.2026 14:15
Intensifikohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme....

Intensifikohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Pakistani ka njoftuar se së shpejti do të presë delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për bisedime paqeje në Islamabad, pas konsultimeve me fuqitë rajonale. Ky hap vjen pas javësh diplomacie të heshtur dhe konsiderohet si një mundësi reale për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme që ndal luftimet në rajon.
“Diskutuam mënyrat e mundshme për t’i dhënë fund sa më shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme luftës. Jemi të kënaqur që si Irani ashtu edhe ShBA-ja kanë shprehur besim te Pakistani për lehtësimin e këtyre bisedimeve.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishak Dar.
Ndërkohë që liderët rajonalë kërkojnë një zgjidhje diplomatike, aktorët kryesorë – Izraeli, ShBA-ja dhe Irani, kanë forcuar qëndrimet e tyre. Donald Tramp shprehu mundësinë e marrjes nën kontroll të naftës iraniane dhe të pushtimit të qendrës kryesore energjetike në ishullin Kharg. Ai tha se negociatat po ecin mirë dhe se Irani është pranë një marrëveshjeje, duke theksuar se ka dërguar naftë drejt ShBA-së si shenjë serioziteti.
“Shoh një marrëveshje me Iranin shumë shpejt. Ata po bien dakord me ne për planin. Kemi kërkuar 15 pika dhe shumica janë pranuar. Po zhvillojmë takime shumë të mira, direkte dhe indirekte, dhe mendoj se po arrijmë përparim të rëndësishëm.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, Teherani ka paralajmëruar reagim nëse trupat amerikane të dislokuara në rajon ndërmarrin një ndërhyrje tokësore. Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar edhe hakmarrje për sulmet ndaj zonave të banuara civile.
“Si kundërpërgjigje, Irani do të shënjestrojë rezidencat e komandantëve dhe zyrtarëve politikë të regjimit amerikan dhe atij sionist në rajon dhe në territoret e pushtuara.”, - u shpreh zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Ebrahim Zolfagari.
Ndërkohë, Izraeli ka paralajmëruar zgjerimin e zonës së sigurisë në jug të Libanit, duke vazhduar përplasjet me Iranin. Disa vende të Gjirit raportojnë për dronë iranianë të interceptuar.
“Kemi arritur suksese të mëdha, çarje të dukshme në regjimin terrorist në Teheran. Irani nuk është më i njëjti Iran, Hezbollah nuk është më i njëjti Hezbollah dhe as Hamasi nuk është më i njëjti.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, në terren lufta vazhdon. Izraeli ka bombarduar Iranin dhe Libanin duke vrarë dhjetëra civilë dhe shkatërruar infrastrukturën civile bazë në Bejrut dhe Teheran. Në postimin e tij të fundit presidenti Tramp shkroi: “Ditë e madhe në Iran. Shumë objektiva të kërkuara prej kohësh janë goditur dhe shkatërruar nga USHTRIA jonë E MADHE, më e mira dhe më vdekjeprurësja në botë.”.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara po mbahen protesta të mëdha kundër politikave invazioniste të Trampit në Lindjen e Mesme. Aktivistë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj veprimeve ushtarake dhe politikave të jashtme të administratës, duke kërkuar tërheqjen e trupave dhe zgjidhje diplomatike për konfliktet rajonale.
“Jo trupa. Shkatërroni armikun nëse duhet. Dhe nëse nuk arrini marrëveshje, kthehuni në shtëpi.”, - tha një protestuese.
“Mjaft me gjak dhe thesar në tokë të huaj.”, - tha një protestues.
“Nuk mendoj se kjo është në interes të Amerikës. Kjo luftë u bë në favor të Izraelit.”, - u shpreh një protestues.
“Unë kurrë nuk kam kërkuar veprime ushtarake. Por, kemi parë si presidentët të tjerë shtyjnë problemet për më vonë.”, - deklaroi ish-ambasadori i OKB-së, Mark Uallas.
Në të njëjtën kohë, pasojat ekonomike të luftës ndikojnë në çmimet e naftës, për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit. Ekonomitë botërore tashmë po ndiejnë goditjen, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se pas Azisë, në shënjestër janë ShBA-ja dhe Evropa.
FARIJE DAUTI BAKIU
