Maqedoni

Zgjedhja e presidentit, Kurti do t’i ftojë për takim liderët e opozitës

30.03.2026 14:35

Kurti ka paralajmëruar se do t’u bëjë ftesa për takim kryetarëve të partive opozitare..

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do t’u bëjë ftesa për takim kryetarëve të partive opozitare, për t’u koordinuar rreth zgjedhjes së presidentit të shtetit. Ai nuk ka dhënë më shumë detaje për propozimet që do t’ua ofrojë liderëve opozitarë, duke theksuar se propozimet do t’i shpalosë në takimet me ta.
 
“Padyshim që do të bëj ftesa për takime, për kryetarët e partive opozitare në mënyrë që të shohim se cilat janë rrugët, ashtu që të arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve. Por, çfarë ofertash e kërkesash do të ketë në ato takime, duhet të presim që të ndodhin ato takime.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Haxhiu: Është shumë me rëndësi të shmangen zgjedhjet
 
 
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pret takime frytdhënëse dhe përpjekje serioze nga subjektet politike, për të arritur një zgjidhje për presidentin, që do të shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme.                                                             
“Është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse kemi humbur shumë dhe kemi shumë punë për të bërë. Prandaj, uroj që këto diskutime, këto takime të sjellin rezultate konkrete, i ftoj të gjitha palët që të jenë seriozë në qëndrimet që i mbajnë në këto takime dhe në raport me situatën aktuale.”, - theksoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
Tahiri: AAK-ja nuk shkon në takim të ndarë te Kurti
 
Besnik Tahiri nga AAK thotë se nëse ftohen për takime të ndara nga kryeministri nuk do të marrin pjesë, por po ashtu ai u shpreh kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
 
“Absolutisht formatin siç e ka pasur në të kaluarën zotëri Kurti një me një ta diskutojë sikur shkohet për të pi kafe, për një temë kaq serioze nuk do ta kemi. Ne mendojmë se është përgjegjësia e Albin Kurtit drejtpërdrejt me 66 vota, atëherë edhe tash t’ia jep Kosovës një president. Nuk ka kuptim t’i dërgojnë edhe njëherë 1 milion popull të votojnë për shkak se një formacion politik ka dëshirë që ta marrë edhe një institucion të pavarur, siç është presidenti.”, - u shpreh Besnik Tahiri nga AAK.
 
Nuk dihet nëse AAK-ja do të marrë ftesë për takim nga kryeministri Kurti, pasi gjatë konsultimeve para afatit shtesë nga Gjykata Kushtetuese, kryeministri kishte ftuar për konsultime vetëm kreun e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. 
 
GYLTENE SINANI