Maqedoni

Korridori 8, Sela: Devijohet, për t’u lidhur me Korridorin 10

30.03.2026 15:50

Ziadin Sela ka akuzuar Qeverinë për devijim të Korridorit 8 drejt linjës Serbi – Greqi dhe jo bashkimin e Detit të Zi me Adriatikun....

Ziadin Sela ka akuzuar Qeverinë për devijim të Korridorit 8 drejt linjës Serbi – Greqi dhe jo bashkimin e Detit të Zi me Adriatikun. Sela thotë se nuk do të realizohet segmenti nga Struga në Qafëthanë, i konfirmuar edhe nga kryeministri me arsyetimin se janë shfaqur pengesa në lidhje me mbrojtjen e zonës së liqenit të Ohrit nga ana e UNESKO-s. Sela arsyetimet e tilla i cilëson si boshe dhe banale që nuk kanë të bëjnë me realitetin.
 
“UNESKO-n nuk e rrezikon autostrada. UNESKO-n e rrezikojnë objektet pranë liqenit, duke mos u respektuar kriteri I UNSEKO-s që të mos ketë ndërtime 50 metro nga niveli maksimal i liqenit të Ohrit. UNSKO-n e rrezikojnë platformat të cilat janë të ndërtuara në brenda liqen, UNESKO-n e rrezikojnë këto objekte pa leje, të cilat kemi pasur fatin që deri tani nuk na ka ndodh një tragjedi si e Koçanit.”, - deklaroi deputeti, Ziadin Sela. 
 
BDI fajëson VLEN-in, Sela kundërpërgjigjet, Zekolli mohon akuzat e partive politike
 
Edhe nga BDI-ja kanë reaguar duke thënë se problemi nuk është teknik, por politik, duke i hedhur pjesë të fajit edhe Koalicionit VLEN. Por, Ziadin Sela bashkëfajtore të devijimit të projektit bën edhe BDI-në në bashkëqeverisje me Nikolla Gruevskin.
 
“Aso kohe u devijua përsëri segmenti Trebenisht – Strugë dhe u devijua Korridori 8 në drejtim të Ohrit. Është mentalitet dhe logjikë e Nikolla Gruevskit dhe kjo sot që po ndodh s’është asgjë tjetër vetëm se vazhdimësi e këtij mentaliteti e kësaj logjike.”, - theksoi deputeti, Ziadin Sela.
 
Sela fton ndërhyrjen e vendeve të NATO-s dhe diplomatët perëndimorë, që korridori të marrë trajtën e planifikuar.
 
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli, i ka mohuar akuzat duke thënë se nuk ka devijim politik të projektit. Projekti po korrigjohet teknikisht për shkak të kontesteve të zonave të mbrojtura, ndërsa siguron se lidhja strategjike me Shqipërinë nuk do të ndalet.
 
MERAL ISMAILI