Maqedoni
Provimi i Jurisprudencës, studentët paralajmërojnë protestë më 6 prill
30.03.2026 16:33
Studentët shqiptarë vazhdojnë të shprehin pakënaqësi për moslejimin e provimit...

Studentët shqiptarë vazhdojnë të shprehin pakënaqësi për moslejimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata për shkak të zvarritjes së kërkesës së tyre paralajmërojnë protestë më 6 prill në Shkup. Qëllimi është, siç thonë, respektimi i të drejtave gjuhësore.
“Që nga vera 2024 jemi duke pritur epilog në lidhje me kërkesën tonë, përveç zvarritjes së kërkesës sonë nuk pamë gjë tjetër. Gjuha shqipe dhe e drejta jonë nuk mund të mbahen peng nga vullneti dhe interpretimi i ministrave, prandaj ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë në protestën tonë me datë 6 prill (e hënë) në ora 12:30 para Urës së Gurit, aty ku fillon kultura jonë tek Çarshia jonë në Shkup dhe do të marshojmë andej Urës së Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë!”, - deklaroi studenti, Mevlan Ademi.
“Kauza jonë është e pastër dhe si e tillë do të mbetet. Ju bëj apel institucioneve të marrin masa sa më shpejtë. Nuk qëndrojnë deklaratat albanofobe të Filkovit e as të Mickoskit. Mos e përdorni si litar duke na tërhequr secili në anën e vet, por mundësoni zgjidhje reale!”, - theksoi një student.
Studentët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallime politike të rreshtohen me studentët dhe t’i përkrahin ato në të drejtën e tyre legjitime dhe kushtetuese që provimin e Jurisprudencës ta mbajnë në gjuhën shqipe.
ARMEND MURSELI
