Foda dhe Muriqi: Do të japim gjithçka për fitore
Kosova dhe Turqia do të përballen nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ në finalen e madhe të “play-off-it” për Kupën e Botës 2026. Strategu gjerman i “Dardanëve”, Franco Foda, thotë se lojtarët e tij janë gati për sfidën historike...

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në futboll, Franco Foda dhe kapiteni Vedat Muriqi, të hënën në një konferencë për media, kanë folur para ndeshjes me Turqinë. Trajneri gjerman pranon se Turqia është ekip i fortë në aspektin individual, por sipas tij, gjasat për fitore janë 50 me 50 përqind.
“Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat janë 50-50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”, - u shpreh seleksionuesi, Franco Foda.
Ndërkaq, kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, është i mendimit se Kosova duhet të zhvillojë lojë ekipore për të ardhur deri tek fitorja.
“Për kualitetin e Turqisë nuk flitet, duhet të bëjmë një lojë ekipore për të qenë më të mirë se Turqia.Gjithmonë kam thënë se nuk më intereson të shënoj gola, përderisa fiton ekipi. Jemi t’u fol për shtetin, jemi në finale kështu që s’më intereson aspak kush shënon gola. Pas pavarësisë mund të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë. Nuk dua t’i bëj presion bashkëlojtarëve apo vetës, por besoj nëse në fitore e pastaj të festojmë në shesh”, - deklaroi Vedat Muriqi.
Qeveria e Kosovës, ka ndarë 500 mijë euro për kombëtaren e Kosovës që mposhti Sllovakinë. Ndërsa për ndeshjen e radhës kundër Turqisë, premtimi është 1 milionë euro në rast fitoreje, që do t’i dërgonte Dardanët për herë të parë në një Kampionat Botëror.
Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë fillon në orën 20:45 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokri” në Prishtinë. (Safet Ademi, TVM2)
