Maqedoni

Shqipëria përmbush 24 kushte për negociatat me BE-në

30.03.2026 16:51

Qeveria thotë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e ndërmjetme në procesin...

Qeveria  thotë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet e ndërmjetme në procesin e negociatave dhe është duke pritur vlerësimin pozitiv nga vendet anëtare për t’i mbyllur më pas negociatat.  
 
“Vijojmë punën edhe për kushtet e ndërmjetme, që janë një sërë masash apo reformash, kryesisht të lidhura me sigurinë dhe rendin ose luftën kundër krimit të organizuar, të lidhura me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Shqipëria e mbylli këtë fazë në janar të këtij dhe vende anëtarë tashmë po diskutojnë. Ne jemi të gatshëm të plotësojmë çdo kërkesë të veçantë që mund të vijë edhe nga vendet anëtare, në lidhje me reformat e sigurisë dhe drejtësisë.”, - deklaroi ministrja e shtetit dhe kryenegociatorja, Majlinda Dhuka.
 
Në mbledhjen e Qeverisë, kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se Shqipëria ecën pa asnjë ndërprerje me procesin e negociatave, por ende ka punë përpara.
 
“Për 31 nga 33 kapitujt BE-ja i ka dhënë Shqipërisë kushte. Deri tani Shqipëria ka marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave pasi ka plotësuar 24 kushtet e ndërmjetme. Nga vlerësimi i Komisionit Evropian, nga 27 në 33 kapitujt Shqipëria konsiderohet e përgatitur mirë, apo e përgatitur në mënyrë të moderuar.”, - theksoi ministrja e shtetit dhe kryenegociatorja, Majlinda Dhuka.
 
Kryeministri Rama u kujdes të nënvizonte se Shqipëria nuk ka ngecur me negociatat, ndërsa foli edhe për disa sektorë delikatë.
 
“Prokurimi publik, nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë. 2027-a duhet të na gjejë më këtë objektiv të realizuar.  Kontrolli financiar i rëndësishëm, reforma e inspektimit duhet të vazhdojë. Ajo që ka filluar me AKU të shtrihet edhe me inspektoratet e tjera.”, - u shpreh kryeministri, Edi Rama. 
 
Shqipëria synon që brenda vitit 2026 të jetë gati për mbylljen e 16 kapitujve dhe në vitin pasardhës për 17 të mbeturit.
 
LULJETA NDOKA