Maqedoni
Mickoski në Hungari, RMV-ja e përkushtuar në perspektivën evropiane
30.03.2026 17:17
Vendi mbetet i përkushtuar në perspektivën evropiane, por progresi duhet të vlerësohet...

Vendi mbetet i përkushtuar në perspektivën evropiane, por progresi duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe në përputhje me standardet evropiane. Kështu ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë fjalimit të tij në forumin e biznesit në Budapest.
“Pavarësisht sfidave dhe procesit shumëvjeçar, vendi mbetet i fokusuar në reformat dhe përmbushjen e kritereve mbi bazë të meritave. Progresi duhet të vlerësohet në mënyrë objektive dhe në përputhje me standardet evropiane, me qëllim të qartë përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski: Afaristët hungarez të investojnë në RMV
Në Forumin me temë “Dita e bashkëpunimit afarist ndërmjet Hungarisë dhe Maqedonisë”, i cili krahas përfaqësuesve të institucioneve bashkoi edhe komunitetet e biznesit nga të dy vendet, kryeministri nënvizoi se komunikimi i drejtpërdrejtë ndërmjet kompanive është kyç për krijimin e modeleve të reja të biznesit, për hapjen e tregjeve dhe për gjenerimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike.
“Linja e re ajrore ndërmjet Shkupit dhe Budapestit paraqet një hap të rëndësishëm përpara në lidhjen e dy shteteve, jo vetëm nga aspekti i mobilitetit, por edhe si një nxitje e fortë për zhvillimin e bashkëpunimit biznesor, investimeve dhe turizmit. Kjo lidhje direkte do të kontribuojë në rritjen e dinamikës së marrëdhënieve ekonomike dhe do të hapë hapësirë për iniciativa dhe projekte të reja. Qeveria zbaton politika të orientuara drejt krijimit të një mjedisi biznesor stabil, të parashikueshëm dhe konkurrues. Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj agjendës reformuese, avancimit të sundimit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit dhe transformimit digjital, si parakushte për tërheqjen e investimeve të reja.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski njëherësh inkurajoi kompanitë hungareze të shqyrtojnë mundësitë për të investuar në vend, duke theksuar njëkohësisht se kompanitë nga Maqedonia e Veriut janë të gatshme të zgjerojnë aktivitetet e tyre edhe në tregun hungarez.
Avancimi i marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet aktuale rajonale dhe evropiane, ishin temat edhe në takimin e kryeministrit Mickoski me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
GAZMEND REXHEPI
