Botë
Trampi i gatshëm t’i japë fund luftës, Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur
31.03.2026 12:02
Tramp u ka thënë ndihmësve se është i gatshëm të përfundojë fushatën ushtarake kundër Iranit....

Presidenti amerikan Donald Tramp u ka thënë ndihmësve se është i gatshëm të përfundojë fushatën ushtarake kundër Iranit edhe nëse Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, raporton Wall Street Journal.
Sipas raportit, Trampi synon të arrijë qëllimet kryesore: dobësimin e marinës iraniane, reduktimin e stoqeve të raketave dhe qetësimin e tensioneve, ndërkohë që ushtron presion mbi Teheranin për të rifilluar tregtinë e lirë përmes ngushticës, një rrugë kyçe për eksportin e naftës.
Mbyllja e ngushticës ka rritur çmimet e naftës dhe ushqimeve globalisht, duke goditur veçanërisht ekonomitë evropiane dhe britanike.
Trampi dhe ndihmësit e tij kanë vlerësuar se një mision për të hapur ngushticën mund të zgjaste konfliktin përtej planit të tyre prej katër deri në gjashtë javësh. Nëse negociatat dështojnë, ShBA-ja do t’i kërkojë aleatëve evropianë dhe të Gjirit të ndërhyjnë për rihapjen e rrugës ujore.
Në platformën e tij, “Truth Social”, Trampi shkroi për përparim në bisedimet me Iranin dhe tha se ShBA-ja po flet me një “regjim më të arsyeshëm”. Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse nuk arrihet një marrëveshje, ShBA-ja do të sulmojë termocentralet, puset e naftës dhe ishullin Kharg. Nga fillimi i konfliktit, çmimet e naftës kanë arritur rreth 116 dollarë për fuçi, afër nivelit më të lartë që nga fillimi i luftës, duke reflektuar ndikimin e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.
