Botë
Zelenski: Disa aleatë nga Kievi me kërkesë që të reduktojmë sulmet mbi sektorin energjetik rus
31.03.2026 12:40
Zelenski ka bërë të ditur se disa aleatë të Kievit kanë dhënë “sinjale” për mundësinë e kufizimit të sulmeve me rreze të gjatë ndaj sektorit energjetik rus..

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka bërë të ditur se disa aleatë të Kievit kanë dhënë “sinjale” për mundësinë e kufizimit të sulmeve me rreze të gjatë ndaj sektorit energjetik rus, për shkak të rritjes së çmimeve globale të energjisë. Ai theksoi se Ukraina është e gatshme të përgjigjet në mënyrë reciproke, nëse Vladimir Putin ndalon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase.
Kievi është i hapur për një armëpushim gjatë Pashkëve. Ndërkohë, Ukraina ka nënshkruar një marrëveshje 10-vjeçare mbrojtjeje me Bullgarinë për prodhimin e përbashkët të armëve, përfshirë dronët, një zhvillim që synon forcimin e bashkëpunimit të sigurisë dhe përshtatjen me zhvillimet e shpejta teknologjike në luftë. Në terren, sulmet ruse në rajonet qendrore dhe veriore të Ukrainës kanë shkaktuar të paktën dy viktima dhe mbi 20 të plagosur. Në rajonin e Poltavës dhe atë të Dnipropetrovskut janë raportuar viktima nga sulmet me dronë dhe artileri, ndërsa në Sumi janë plagosur 13 persona, përfshirë një fëmijë.
Në zhvillime të tjera, ShBA-ja ka shtyrë afatin për kompanitë që synojnë të blejnë asetet e jashtme të kompanisë ruse Lukoil, me vlerë rreth 22 miliardë dollarë, pas vendosjes së sanksioneve në vitin 2025.
Nga ana tjetër, miliarderi rus në mërgim, Mikhail Hodorkovski, ka deklaruar se sanksionet nuk e kanë dobësuar ndjeshëm pozitën e Putinit. Sipas tij, Perëndimi gabimisht ka besuar se oligarkët mund të ushtrojnë presion ndaj Kremlinit, duke theksuar se në një sistem autoritar, pasuria pa fuqi politike nuk ka ndikim real.
