Rajon

Sonte tërë kombi me sy kah Prishtina, finalja Kosovë - Turqi për ëndrrën amerikane

31.03.2026 14:23

Sonte futbollistët e Kosovës në arenën “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të luajnë ndeshjen finale kundër Turqisë....

Në kërkim të realizimit të ëndrrës së shqiptarëve dhe të shtetit të Kosovës për t’u kualifikuar në kupën e botës, sonte futbollistët e Kosovës në arenën “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të luajnë ndeshjen finale kundër Turqisë. Kjo ka bërë që dita e sotme në Kosovë dhe të gjitha hapësirat shqiptare t’i ngjajnë një dite feste për futbollin. Në pritje të zbritjes në fushë të yjeve si Vedat Muriqi, e Fisnik Asllani, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi, Albian Hajdari, Mërgim Vojvoda, Dion Gallapeni, Veldin Hoxha, Elvis Rexhbecaj, Florent Muslija, si dhe portieri Aro Muriç, i gjithë kombi po shpreson realizimin e ëndrrës amerikane. Kapiteni Muriqi flet me respekt për kundërshtarin, por thotë se synimi i Kosovës është fitorja.
 
“Do të bëj çmos për të shkuar në Botëror me Kosovën. Mes vijave të fushës do të vazhdoj të kem respekt për Turqinë, por shkojmë për fitore.”, - deklaroi kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi.
 
Edhe trajneri i kombëtares së Turqisë, Vinçenzo Montella, ka folur me plot respekt për Kosovën. Ai deklaroi se Kosova ka arritur deri këtu me plot meritë.
 
“Kosova ka ardhur deri këtu me meritë. Nga ana taktike dallohet qartë struktura e tyre, kanë një lojë dhe ide shumë të qartë. Këtë mund ta shihni edhe gjatë ndeshjes. Do të dalim në një finale.”, - theksoi trajneri i Turqisë, Vinçenzo Montella.
 
Në tribunat e arenës “Fadil Vokrri”, sonte nuk do të ketë vend për të hedhur asnjë gjilpërë. Biletat janë shitur pak minuta pas daljes në shitje. Ndërsa tifozët tanimë kanë filluar misionin e tyre. Kombëtarja e Turqisë, e përbërë nga yjet e saj, si Hakan Çalanoglu e Arda Guler, ka kaluar një natë të vështirë pa gjumë në prag të përballjes me Kosovën. Gjatë orëve të natës janë ndezur vazhdimisht fishekzjarre në afërsi të hotelit ku është akomoduar përfaqësuesja e Turqisë, me qëllim që futbollistët turq të mos kenë qetësinë e nevojshme për pushim. Afër hotelit ku është akomoduar ekipi turk, janë hedhur fishekzjare, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë para ndeshjes.
 
Mundësinë që Kosova të kualifikohet në kampionatin botëror që do të organizohet në ShBA, Meksikë dhe Kanada, ka zënë vend edhe në mediat botërore.
 
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters shkruan: “Kosova e vogël kërkon historinë e Kupës së Botës me ndeshjen vendimtare kundër Turqisë”. Mediumi britanik The Guardian ka shkruar se “çdo gjë është e mundur për Kosovën”BBC në një artikull të saj ka shkruar “Kosova në eufori ndërsa ëndërron historinë e Kupës së Botës”. Ndërkohë, për mediumin spanjoll AS shkruan: “Ndeshja që Fadil Vokrri duhej ta shihte”.  Mediumi italian, Corriere dello Sport, shkruan se Kosova është një tjetër “përrallë ballkanike”, një përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë në gjithë Evropën. Ndërkohë, mediumet kryesore turke kanë dërguar ekipet e tyre të gazetarëve në Kosovë, duke ndjekur çdo hap të përfaqësueses turke, por edhe të Kosovës.
 
Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë një milion euro shpërblim për futbollistët, nëse arrihet fitore. Por më shumë se shpërblimi prej një milion eurosh, futbollistëve të reprezentacionit të Kosovës do t’u vlejë gëzimi i madh që do ti sillnin kombit, nëse prekim ëndrrën e botërorit për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar. Me shpresën për fitore, këngëtarja Edona Llalloshi ka publikuar këngën e titulluar “Zemra e Dardanisë”, që flet për arritjen e ëndrrës amerikane. 
 
GYLTENE SINANI