Maqedoni
Samiti i 10-të i liderëve fetarë të Ballkanit
31.03.2026 14:41
Në Shkup u mbajt Samiti i 10-të i liderëve fetarë të Ballkanit....

Në Shkup u mbajt Samiti i 10-të i liderëve fetarë të Ballkanit. Roli dhe ndikimi i bashkësive fetare islame në përforcimin e kulturës së bashkëjetesës në vendet e rajonit ishte ndër temat kryesore që i bashkuan krerët fetarë nga rajoni. Ky samit nuk është thjesht një takim i rëndomtë i liderëve, por mishëron unitetin, bashkëpunimin dhe përkushtimin e përbashkët për të forcuar vlerat dhe paqen e përbashkët, u tha me këtë rast.
“Në këtë imazh të gjerë dhe të veçantë të Ballkanit ndikim të rëndësishëm ka pasqyrimi gjithëpërfshirës i islamit ndaj jetës, sepse feja e jonë hyjnore – islami - paraqet një set parimesh që në mënyrë më adekuate e rregullon lidhjen e njeriut me vetveten, me krijuesin e tij, me shoqërinë, me natyrën dhe ekzistimin e tërësishëm të njeriut. Islami është fe e paqes, mirësisë, e cila i garanton të drejtat themelore të çdo njeriu, jetës, vetëdijes, pronësisë, familjes dhe lirisë fetare.”, - deklaroi kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Turqisë, Safi Arpagush.
Vetë tema e këtij samiti reflekton nevojën emergjente për një bashkëpunim më të gjerë rajonal, me qëllim ndërtimin e një bashkëjetese më të qëndrueshme, thanë krerët e bashkësive fetare në rajon.
“Bashkëpunimi ndërmjet nesh është domosdoshmëri strategjike. Ne duhet të ndërtojmë platforma të përbashkëta, të ndajmë përvoja dhe të veprojmë në mënyrë të koordinuar për të përforcuar një kulturë që respekton tjetrin pa e humbur vetveten. Ky samit na rikujton se përgjegjësia jonë nuk kufizohet brenda bashkësive tona, por shtrihet në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të qetë dhe humane për të gjithë, pa marr parasysh përkatësinë nacionale dhe fetare.”, - theksoi kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai.
“Ky samit ka një rëndësi të madhe për ruajtjen e paqes mes njerëzve me fe të ndryshme. Ne jemi shumë të përkushtuar ndaj dialogut mes bashkësive të ndryshme fetare, punojmë dhe madje insistojmë, që përmes komunitetit ndërfetar të qetësojmë problemet fetare, në rast se paraqiten, dhe të promovojmë shërimin e shoqërisë morale fetare.”, - u shpreh zëvendëskryetari i BFI-së, Bosnja dhe Hercegovina, Elvedin Ef. Ljevakoviq.
“Besoj se këto takime do t’i ndihmojnë kryetarët e bashkësive fetare islame të përcjellin mesazhin që inkurajon edhe më shumë njerëzit në Ballkan të jetojnë duke respektuar fenë e njëri-tjetrit, duke ruajtur marrëdhëniet e mira etnike dhe bashkëjetesën.”, - deklaroi Resad Ef. Plojoviq nga BFI – Serbi.
Të pranishmëve në Samit iu drejtuan edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
“Në një kohë kur bota është aq shumë e trazuar dhe kur liderët e ndryshëm shpesh përdorin referenca fetare për ta përligjur dhunën dhe konfliktin, valët e këtyre përplasjeve s’do mend se prekin edhe në shoqëritë tona. Prandaj organizimi i këtij samiti pikërisht në kohën kur po përballemi me këto sfida të reja bëhet oguri i mirë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre publike.”, - theksoi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
“Prania e juaj nga vendet e ndryshme të rajonit është dëshmi e një vullneti të përbashkët për dialog, mirëkuptim dhe bashkëpunim. Kësaj ngjarje i jep peshë të veçantë që ajo po mbahet në Shkup, në një qytet ku diversiteti fetar, etnik dhe kulturor ka qenë dhe mbetet një nga vlerat themelore. Nëse do të duhej të prezantonim Ballkanin në miniaturë, besojë se dy qytetet do të ishin në garë për ta përvetësuar në mënyrë më besnike këtë realitet. Shkupi ku jemi sot dhe Sarajeva.”, - u shpreh zëvendëskryeministri i RMV-së, Bekim Sali.
Nikoqiri i Samitit të 10-të të liderëve fetarë të Ballkanit këtë vit në Shkup është Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë.
REXHEP QAMILI
