Maqedoni
Provimi i Jurisprudencës, Selami: Kërkuam harmonizim ligjor nga Qeveria
31.03.2026 15:00
Avokati i Popullit konstaton se ligjet aktuale në vend nuk e parashohin dhënien e provimeve profesionale në një gjuhë tjetër nga Gjuha Maqedonase...

Avokati i Popullit, Faton Selami, duke u bazuar në vlerësimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve, konstaton se ligjet aktuale në vend nuk e parashohin dhënien e provimeve profesionale si Provimi i Jurisprudencës, Provimi i Noterisë dhe Provimi i Përmbarimit të jepen në një gjuhë tjetër nga Gjuha Maqedonase. Selami thotë se kjo ka qenë arsyeja që ky institucion ka ngritur iniciativë deri tek Qeveria me rekomandim për harmonizime ligjore që do të mundësojnë dhënien e provimeve profesionale në gjuhën amtare. Iniciativa si e tillë synon që t’i detyrojë institucionet që të veprojnë dhe ta zhbllokojnë situatën ekzistuese. Tha se brenda një muaji pret përgjigje nga Qeveria.
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është miratuar në vitin 2019, pra ka shtatë vjet që është në fuqi. Me hapjen e iniciativës personale nga ana ime ne u drejtuam deri tek institucionet përkatëse, pra deri tek Ministria e Drejtësisë dhe tek Inspektorati i Gjuhëve dhe pas marrjes së përgjigjeve zyrtare nga ana e tyre konstatuam se në zgjedhjet aktuale ligjore që e rregullojnë këtë tematik, pra provimin e jurisprudencës, noterisë dhe provimin e përmbaruesve, nuk është paraparë mundësia që këto provime të jepen në një gjuhë tjetër nga Gjuha Maqedonase dhe konstatuam se kjo shkakton probleme juridike dhe praktike për kandidatët që gjuhë amtare e kanë gjuhën shqipe. Duke u nisur nga kjo dhe moszbatimi i Ligjit, u drejtuam me iniciativë konkrete për harmonizimin e këtyre ligjeve që të ketë implementim konkret dhe të detyrueshëm nga institucionet, pasi që e kemi parë se deri më tani ato nuk janë implementuar.”, - deklaroi avokati i popullit, Faton Selami.
Këto komente Selami i bëri me rastin e shpalosjes së Raportit vjetor për gjendjen e sigurimit, respektimit, realizimit dhe avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut për vitin 2025. Me këtë rast ai njoftoi se gjatë vitit 2025 institucioni i Avokatit të Popullit ka shqyrtuar 2.921 parashtresa. Numri më i madh i parashtresave ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave, ku kryeson fusha e jurisprudencës, pastaj fusha për mbrojtjen e konsumatorëve, marrëdhëniet e punës dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve. Nuk kanë munguar ankesat edhe në fushën e urbanizmit dhe ndërtimit, fushën e konsumatorëve, parashtresa për faturat e larta, sigurimin invalidor dhe pensional, punën e përmbaruesve etj. Institucionet që nuk kanë aspak përparim janë institucionet ndëshkuese përmirësuese. Sa i përket lëndëve për dhunën familjare, Avokati i Popullit ka konstatuar lëshime në reagimin institucional, i cili, sipas tij, nuk është bërë në kohë.
FLORIJE KAMBERI
