Maqedoni
Korridori 8, opozita ka vijuar akuzat për devijim
31.03.2026 15:15
Opozita shqiptare ka vijuar me akuzat për devijimin e korridorit 8....

Opozita shqiptare ka vijuar me akuzat për devijimin e korridorit 8. BDI ka fajësuar Qeverinë se po anulon segmentin Trebenisht – Strugë – Qafëthanë dhe sipas tyre, përgjegjësia bie edhe mbi VLEN-in. Ata nuk përjashtojnë mundësinë që të transformohet traseja rrugore Shkup – Bllacë.
“Sot jemi në një situatë ku një projekt po anulohet, ndërsa nga ana tjetër një projekt tjetër ai Shkup – Bllacë po ulet nga autostradë në rrugë ekspres. Ndërsa VLEN-i hesht dhe sillet sikur asgjë s’po ndodh me këto vendime. Ato heshtin ose arsyetojnë vendime të dëmshme ose sillen si spektator në Qeverinë ku vetë janë pjesë.”, - deklaroi Faton Pollozhani nga BDI.
Nga ASh-ja e Ziadin Selës thonë se bllokimi dhe devijimi i Korridorit 8 u bë me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Urdhrin për ndërprerjen e punimeve në Korridorin 8, si dhe planet për bllokimin e plotë të këtij projekti dhe devijimin e të njëjtit e ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa e ka realizuar Qeveria e Hristian Mickoskit që në 6 muajt e parë të ardhjes në pushtet.”, - thuhet në reagimin e ASh-së së Ziadin Selës.
Provimi i Jurisprudencës, BDI: Fokusi në zgjidhjen e problemit
N Ndërkohë, sa i përket provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, nga BDI konsiderojnë se fokusi duhet të vihet në zgjidhjen e çështjes duke u distancuar nga akuzat se ish-ministrat dhe ish-zëvendësministrat e tyre në Qeveri nuk kanë reaguar në zbatimin e gjuhës shqipe.
“Fokusi jonë duhet të jenë në çështjen e cila është aktuale. Ka një reagim të studentëve rreth aplikimit të gjuhës shqipe në provimin e Jurisprudencës dhe ne këtu duhet të fokusohemi dhe t’i përkrahim studentët.”, - theksoi Faton Pollozhani nga BDI.
Koalicioni VLEN është shprehur se nuk ka ndërprerje të projektit dhe se Korridori 8 do të kalojë kah Struga. Ndërkaq, sa i takon provimit të Jurisprudencës, Qeveria shqyrton mundësinë për tejkalimin e ngërçit.
MERAL ISMAILI
