Botë
Vazhdon konflikti në Lindjen e Mesme, Trampi kërcënon Iranin për Ngushticën e Hormuzit
31.03.2026 15:33
ShBA-ja ka paralajmëruar sërish se do të shkatërrojnë objektet energjetike të Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe nëse nuk hapet Ngushtica e Hormuzit...

Në kulmin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, ShBA-ja ka paralajmëruar sërish se do të shkatërrojnë objektet energjetike të Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe nëse nuk hapet Ngushtica e Hormuzit. Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Uashingtoni është në negociata me kryetarin e parlamentit iranian dhe se brenda një jave pritet të qartësohet nëse ekziston hapësirë për bashkëpunim. Nga Shtëpia e Bardhë theksojnë se përfaqësuesit iranianë, larg syrit të publikut, shfaqen më të gatshëm për dialog dhe më racionalë në qasjen e tyre.
“Presidenti në këtë moment ia ka bërë të qartë regjimit iranian se lëvizja më e mirë për ta është arritja e një marrëveshjeje, përndryshe forcat e armatosura të ShBA-së kanë kapacitete që tejkalojnë imagjinatën e tyre më të egër, dhe presidenti nuk ka frikë t’i përdorë.”, - deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Leavit.
Teherani hedh poshtë pretendimet për negociata të drejtpërdrejta me Uashingtonin dhe refuzon planin amerikan të paqes me 15 pika, duke e cilësuar atë si të ekzagjeruar dhe të parealizueshëm. Autoritetet iraniane theksojnë se çdo vendim për përfundimin e konfliktit do të merret vetëm në përputhje me interesat kombëtare dhe prioritetet strategjike të Iranit.
“Materialet që na janë dorëzuar, si plani me 15 pika, përmbajnë një sërë kërkesash të ekzagjeruara, joreale dhe të paarsyeshme. Takimi që Pakistani zhvilloi me vendet fqinje është një kornizë e krijuar prej tyre. Ne nuk kemi marrë pjesë në të.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Bagaei.
“Çdo vendimmarrje për përfundimin e luftës do të jetë vetëm në funksion të garantimit të dinjitetit, sigurisë dhe interesave të Iranit.”, - u shpreh presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian.
Parlamenti iranian shqyrton një projektligj për vendosjen e tarifave për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe kufizimin e anijeve të vendeve që kanë vendosur sanksione ndaj Iranit. ShBA-ja sigurojnë se ngushtica do të mbetet e hapur, në një mënyrë apo në një tjetër.
“Iranianët kërcënojnë të vendosin një sistem të përhershëm në Ngushticën e Hormuzit, ku do të vendosin se kush mund të kalojë nëpër ujërat ndërkombëtare. Kjo nuk do të lejohet kurrë të ndodhë.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Ndërkohë që në prapaskenë flitet për mundësi negociatash paqeje, përplasjet në terren vazhdojnë me intensitet. ShBA-ja ka ndërmarrë sulme të rënda ndaj Isfahanit, ndërsa Izraeli ka goditur Teheranin. Paralelisht vijojnë edhe operacionet kundër Hezbollahut në Liban. Tel Avivi raporton humbje të konsiderueshme ushtarake, ndërsa Benjamin Netanjahu thekson se janë afro në gjysmën e rrugës drejt arritjes së objektivave të luftës.
“Pa dyshim kemi kaluar gjysmën e rrugës. Megjithatë, nuk dua të jap afate kohore. Mendoj se ky regjim do të shembet nga brenda. Ajo që bëjmë tani është dobësimi i kapaciteteve të tyre ushtarake, balistike dhe bërthamore, duke i goditur nga brenda.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Një tanker kuvajtian në portin e Dubait u godit nga dronë iranianë. Liderët e Arabisë Saudite, Katarit dhe Jordanisë u takuan sërish në Xhedah për të koordinuar një përgjigje rajonale ndaj sulmeve iraniane.
FARIJE DAUTI BAKIU
