Maqedoni
Dëshmitarë nga MPB për rastin “Puls”: Janë konstatuar shkelje gjatë disa kontrolleve
31.03.2026 15:45
Tre policë nga Koçani janë ulur në bankën e të akuzuarve për mënyrën se si kanë vepruar gjatë kontrolleve në diskotekën “Puls”....

Tre policë nga Koçani janë ulur në bankën e të akuzuarve për mënyrën se si kanë vepruar gjatë kontrolleve në diskotekën “Puls”. Në seancën gjyqësore u dëgjuan dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja. Dëshmitari i parë ishte polici Erhan Haxhimita nga Stacioni Policor në Koçan. Ai deklaroi se gjatë vitit 2023 kishte marrë pjesë dy herë në kontrolle policore në diskotekë, një herë në prill dhe herën tjetër në dhjetor. Sipas tij, gjatë kontrollit së bashku me përgjegjësin Goran Lazarov kanë gjetur dy të mitura në objekt, të cilave u janë marrë dokumentet e identifikimit dhe iu janë dorëzuar Lazarovit.
“Na tha: “Bëni çfarë të doni!”, sepse edhe më parë kemi pasur mosmarrëveshje lidhur me praninë e të miturve. Nuk donte të bashkëpunonte, prandaj dolëm jashtë. Unë qëndrova me të miturat për të kontaktuar prindërit e tyre, ndërsa përgjegjësi përpilonte procesverbal.”, - deklaroi dëshmitari, Erhan Haxhimita.
Edhe dëshmitari Borçe Ivanov nga MPB, ish-shef i Zyrës së jashtme për punë kriminalistike në Koçan gjatë vitit 2023, shpjegoi se në diskotekën “Puls” janë kryer disa kontrolle dhe janë konstatuar shkelje, por ai nuk mund të kujtojë datat e sakta.
“E di që janë konstatuar shkelje, por nuk mund të kujtoj sipas datave.”, sqaroi dëshmitari.
Sipas aktakuzës, në periudhën nga 7 tetori 2023 deri më 7 shkurt 2024, të akuzuarit Kire Bogatinov dhe Goran Lazarov, si persona zyrtarë, nuk i kanë kryer plotësisht detyrat e tyre gjatë kontrolleve aksionare. Në procesverbalet janë konstatuar shkelje, por janë shënuar të dhëna të pasakta për personin juridik kabare “Puls” në Koçan. I akuzuari i tretë, Aleksandar Temelkov, gjatë miratimit të kërkesave për nisjen e procedurës për kundërvajtje më 1 dhe 7 shkurt 2024, nuk e ka kontrolluar dokumentacionin e plotë, por i ka nënshkruar dhe i ka dorëzuar në gjykatën në Koçan. Me këto veprime, sipas prokurorisë, tre të akuzuarit kanë siguruar përfitim pasuror për kompaninë “MMMM Kafe” DOOEL Koçan, degë e kabare “Puls”. Të akuzuarit ngarkohen me përgjegjësi se gjatë kontrolleve aksionare në diskotekë nuk kanë vepruar në përputhje me rregullat e përcaktuara në aneks-planet, duke shënuar në procesverbal një person juridik joaktiv si përgjegjës.
Seanca kryesore vazhdon më 20 prill. Sipas dinamikës, më 30 prill pritet të paraqiten fjalët përfundimtare.
ARMEND MURSELI
