Lufta në Ukrainë vijon, delegacioni i BE-së viziton Buchan
Luftimet në Ukrainë vazhdojnë...

Luftimet në Ukrainë vazhdojnë, ndërsa Kievi dhe Moska raportojnë për dronë të kapur dhe civilë të plagosur nga të dyja palët. Autoritetet ukrainase i kërkuan Bjellorusisë të mos përfshihet në konflikt dhe njoftuan se Ukraina është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet për të ndaluar nisjen e raketave “Oreshnik” nga territori i saj.
Në të njëjtën kohë, Kievi angazhohet me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë për garanci afatgjata sigurie.
“Do të ketë shumë punë këtë javë, shumë angazhime ndërkombëtare me partnerët tanë. Kjo ka të bëjë me garancitë e sigurisë për Ukrainën, kryesisht me Shtetet e Bashkuara. Do të flasim gjithashtu me Evropën për potencialin e Ukrainës, për marrëveshjet në Lindjen e Mesme dhe Gjirin, dhe për mbrojtjen dhe prodhimin tonë të përbashkët evropian. Do të ketë rezultate të mira.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ukraina gjithashtu ka rritur sulmet me dron ndaj porteve baltike ruse Ust-Luga dhe Primorsk, duke goditur infrastrukturën më të madhe të eksportit të naftës ruse. Kremlini kërcënnoi se do të përgjigjet ashpër nëse vendet e tjera lejojnë Ukrainën të përdorë hapësirën e tyre ajrore për të nisur sulme me dron ndaj porteve ruse.
“Sigurisht, ne besojmë se nëse kjo ndodh, dhënia e hapësirës ajrore për aktivitete armiqësore terroriste kundër Federatës Ruse, atëherë kjo do të na detyrojë të nxjerrim përfundime të përshtatshme dhe të marrim masat e duhura.”, - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Konflikti në Ukrainë duhet të jetë në qendër të vëmendjes dhe nuk duhet të zhvendoset vetëm tek ngjarjet në Lindjen e Mesme, u shpreh kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, gjatë vizitës në Ukrainë së bashku me disa ministra të jashtëm të BE-së.
“Janë shumë diskutime të rëndësishme, por mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë, siç thatë, që përveç luftës që po ndodh në Lindjen e Mesme, të mos lejojmë që Ukraina të dalë nga agjenda, sepse kjo po ndodh këtu dhe tani. Kjo është pjesë e Evropës, dhe prandaj është gjithashtu shqetësim i Evropës që kjo luftë të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”, - u shpreh drejtuesja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Kaja Kallas.
Delegacioni i Bashkimit Evropian mori pjesë në një shërbim përkujtimor në Bucha për viktimat e luftës, para se të zhvillonte takime zyrtare me ministrat e jashtëm të BE-së dhe Ukrainës. Takimet u fokusuan në bashkëpunimin politik dhe sigurinë rajonale. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)
