Maqedoni
Djali dyshohet për vrasjen e babait në Gostivar, tentoi të fshehë gjurmët
01.04.2026 11:17
Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi të dyshuar për vrasje...

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi të dyshuar për veprën penale – vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 të Kodit Penal.
Gjatë ushtrimit të dhunës në familje, në shtëpinë në lagjen Dutllok të Gostivarit, i dyshuari 33-vjeçar me dashje ia ka marrë jetën babait të tij. Pas një mosmarrëveshjeje të mëparshme, ata kanë nisur një debat, pas së cilës djali e ka sulmuar fizikisht babain, duke e goditur me dorë dhe me sende të forta metalike, derisa i ka shkaktuar lëndime të rënda nga të cilat viktima ka ndërruar jetë.
Menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari ka tentuar të fshehë gjurmët, duke e larë trupin e të ndjerit dhe duke e përgatitur për varrim. Megjithatë, rasti është zbuluar pas një denoncimi nga një qytetar anonim përmes një numri telefoni të huaj, pas së cilës policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetim ka kryer edhe prokurori publik, i cili menjëherë ka urdhëruar autopsi.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Gostivar propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, për shkak të rrezikut të arratisjes, si dhe mundësisë për të ndikuar mbi dëshmitarët dhe për të fshehur provat.
