Maqedoni
Marrëdhëniet Shkup – Podgoricë, Milatoviq: Perspektiva evropiane forcon bashkëpunimin
01.04.2026 14:24
Presidentja e RMV-së dhe homologu i saj nga Mali i Zi mbajtën një ligjëratë të përbashkët në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”...

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dhe homologu i saj nga Mali i Zi, Jakov Milatoviq, mbajtën një ligjëratë të përbashkët në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”, pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Milatoviq theksoi se të dy vendet i lidh një afërsi e thellë historike, e konfirmuar përmes solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Në këtë drejtim ai shprehu besimin se në vitet në vijim, të dy vendet do të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie jo vetëm të qëndrueshme në nivel politik, por edhe vërtet të ngushta mes qytetarëve. Njëherësh theksoi se perspektiva evropiane e të dy vendeve zë një vend të veçantë dhe shtoi se Mali i Zi mbështet fuqishëm rrugën evropiane të vendit tonë.
"Po dërgojmë mesazhe të bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së fqinjësisë së mirë. E vlerësojmë faktin se Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para që njohu Malin e Zi dhe kjo u bë një bazë e fortë për zhvillimin e marrëdhënieve tona bilaterale dhe diplomatike. Dhe pikërisht në këtë afërsi qëndron forca e partneritetit dhe miqësisë sonë të shkëlqyer dhe siguria se së bashku do të ndërtojmë një rajon më të mirë në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën tonë evropiane.", - deklaroi presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Siljanovska: Mbështetja e ndërsjellë rajonale është një imperativ
Në ndërkohë presidentja Siljanovska Davkova vlerësoi se ajo dhe homologu i saj konfirmuan se janë një shembull i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit brenda NATO-s, ndërsa takimi i sotëm forcon më tej besimin. Vizioni i përbashkët mbetet një rajon i qëndrueshëm dhe prosperues, i integruar në BE, tha Davkova, duke theksuar se Samiti BE - Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Mal të Zi, dëshmon se anëtarësimi i rajonit nuk është vetëm një synim për të ardhmen, por një realitet i arritshëm.
“Integrimi i plotë i gjithë Ballkanit është i nevojshëm që BE-ja të jetë vërtet një bashkësi frymëzuese dhe e plotë. Unë shpresoj që të përshpejtohet ky proces me mirëkuptimin e fqinjëve tanë, në mënyrë që të fokusohemi te reformat evropiane dhe jo të humbasim kohë duke diskutuar se kush është i pari ose i dyti. Historia duhet t’i lihet historianëve. Bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm një detyrim, por edhe një e drejtë dhe mbështetja e ndërsjellë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për mua është një imperativ. Nëse nuk respektohemi me njëri-tjetrin, e bëjmë më të vështirë vetë rrugën drejt BE-së.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska Davkova.
Në kuadër të vizitës zyrtare të Milatoviqit në Shkup u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi ndërmjet këshillave rinore pranë kabineteve të të dy presidentëve.
REXHEP QAMILI
