Maqedoni
Kriza globale, RMV, tregjet e burimeve energjetike stabile
01.04.2026 14:36
Tregu i karburanteve dhe energjetikës janë stabil në vend...

Tregu i karburanteve dhe energjetikës janë stabil në vend. Qeveria nuk planifikon aktivizimin e masave shtesë antikrizë. Të njëjtat mund të vihen në funksion varësisht trendeve globale. Aktualisht mbetet në fuqi masa aktuale, TVSh-ja e karburanteve me 10%.
“Nëse shohim se do të kemi rritje të çmimeve të benzinës dhe dizelit, atëherë absolutisht se do ta vazhdojmë këtë masë përderisa vazhdon gjendja e krizës. Nëse vazhdon edhe më tej do ta vazhdojmë edhe gjendjen e krizës dhe do ta vazhdojmë sërish masën. Nëse situata sërish përshkallëzohet, ne kemi mjete të tjera në disponim, këtu janë akcizat.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Me vendimin e fundit të KRrE-së, çmimi i benzinës u ul për 2.5 gjegjësisht 3 denarë, kështu çmimi i benzinës shënoi 84 dhe 85.5 denarë. Ndërkaq nafta mbeti njëjtë 95.5 denarë. Mëngjesin e sotëm në tregjet botërore një barel naftë u shit për 100 dollarë duke shënuar ulje të butë. Ekspertët po analizojnë se si do të shkojë situata deri të premten, e cila do të diktojë çmimet të cilat do të duhet të përcaktojë KRrE nga e hëna. Kryeministri Hristijan Mickoski siguron se situata është stabile edhe me energjinë elektrike. Elektranat disponojnë me 3.200 tonë mazut mjaftueshëm, si dhe ujë për prodhimin e energjisë elektrike.
“EMV këtyre ditëve, madje edhe shet në bursa dhe përfiton 100 mijë deri në 150 mijë euro në ditë. Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët. Gjendja në tërësi është nën kontroll absolut.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Varësisht situatës do të shikohet mundësia edhe e uljes së TVSh-së për ushqimet. 30 ekipe të Inspektoratit të Tregut po ndjekin gjendjen në terren me çmimet, për evidentimin dhe ndëshkimin e manipulimeve. Qeveria me drejtorinë për mbrojtjen nga konkurrenca po përgatit ligj me dënime më të ashpra për tregtarët të cilët veprojnë në formë devijuese dhe jo tregtare.
MERAL ISMAILI
