Korridori 8, Mickoski: Struga nuk do të mbetet pa lidhje, Rexhepi: Të gjendet zgjidhje e shpejtë
Struga dhe rajoni përreth nuk do të mbeten jashtë lidhjes...

Struga dhe rajoni përreth nuk do të mbeten jashtë lidhjes me autostradën në kuadër të Korridorit 8, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke tentuar të qetësojë shqetësimet për devijimin e mundshëm të trasës.
Megjithatë, ai paralajmëroi se për shkak të kufizimeve në zonat e mbrojtura, mund të shqyrtohen alternativa të tjera.
“Në korrik do të dijmë saktë se çfarë do të ndodhë. Këto dy ditë ministri Mucunski është në Paris në bisedime me udhëheqësinë e UNESCO-s dhe nëse ajo trajektore mbetet kontestuese, do të shqyrtojmë alternativa të tjera, por qytetarët nuk do të mbeten pa lidhje me autostradën. Është mirë të pyetni edhe politikanët shqiptarë në Shqipëri, sepse atje autostrada nuk do të jetë deri në Qafthanë, nuk do të ketë as rrugë eksprese, por do të përfdunojë 20-25 kilometra më poshtë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Kryeministri akuzoi opozitën dhe një pjesë të mediave për tentativa për të nxitur polarizim etnik, duke theksuar se nuk do të lejojë përçarje të tilla gjatë mandatit të tij. Nga ana tjetër, opozita shqiptare i cilëson të paqarta deklaratat e kryeministrit.
Nga BDI theksojnë se devijimi i trasës është paralajmëruar më herët nga vetë kryeministri, ndërsa hedhin poshtë akuzat për nxitje të tensioneve etnike.
“Jo, nuk është e vërtetë. Kjo është si pasojë e deklaratave të zyrtarëve të lartë dhe vet kryeministrit, të cilët deklaruan se lidhja me Shqipërinë do të jetë shumë problematike, pasi që nuk mund të gjendet zgjidhje konformë standardeve të UNESCO-s, që të lidhet me Qafthanë, ndërkohë që të gjithë e dimë se ka zgjidhje shumë konkrete, zgjidhje shumë të lehta që mund për shkurt kohë të rregullohet kjo problematikë.”, - theksoi Bajram Rexhepi nga BDI.
Nga BDI vlerësojnë se sponsor kryesor i devijimit dhe bllokimit të projektit të Korridorit 8 është Serbia, interes i të cilës është që shqiptarët të mos lidhen ndërmjet vete. (Ersan Pajaziti, TVM2)
