Maqedoni

Protestat e studentëve, vetëm fillimi i diçkaje më të madhe!

01.04.2026 14:47

Ademi bëri të ditur se protesta nuk ka karakter partiak dhe se pjesëmarrësit do të dalin si qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile....

Protesta e paralajmëruar e studentëve më 6 prill pritet të shënojë nisjen e një reagimi më të gjerë qytetar lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kështu u shpreh studenti Mevlan Ademi, në një intervistë për emisionin ZOOM në RTM2, duke theksuar se kjo nismë tejkalon kufijtë e një kauze të ngushtë studentore. Ademi bëri të ditur se protesta nuk ka karakter partiak dhe se pjesëmarrësit do të dalin si qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. 
 
“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve të vijnë. Nuk dalim me emblema partiake, por si studentë, si qytetarë dhe si shoqëri civile.”, deklaroi ai. 
 
Sipas tij, çështja që ngrihet është me rëndësi të përgjithshme, pasi lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, për të cilin vlerësoi se mbetet në nivel të ulët. 
 
“Sa është e rëndësishme për studentët e juridikut, është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.”, theksoi Ademi. 
 
I pyetur nëse protesta e 6 prillit mund të shndërrohet në një lëvizje më të gjerë, ai paralajmëroi vazhdimësi të reagimeve. 
 
“Duke parë dinamikën e deritanishme, besoj se kjo do të zgjasë dhe do të ketë reagime të tjera nga ana jonë. Është vetëm fillimi i diçkaje më të madhe.”, u shpreh ai. 
 
Ndërkohë, në rast të mungesës së reagimit institucional, Ademi nuk përjashtoi përshkallëzimin e protestave, duke nënvizuar se ato do të mbeten paqësore. 
 
“Çdo protestë do të përshkallëzohet, por në mënyrë paqësore.”, deklaroi ai. 
 
Protesta e 6 prillit pritet të tregojë nëse kjo nismë do të marrë mbështetje më të gjerë qytetare dhe do të ushtrojë presion mbi institucionet për zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore.