Botë
Konflikti në Lindjen e Mesme, Trampi paralajmëron se do të tërheqë trupat
01.04.2026 15:12
Trupat e ShBA-së shumë shpejt do të tërhiqen nga Irani, deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp....

Trupat e ShBA-së shumë shpejt do të tërhiqen nga Irani, deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. Ai theksoi se operacioni ushtarak mund të përfundojë brenda dy deri në tre javëve, duke sinjalizuar një mbyllje të afërt të konfliktit. Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, e cila është bllokuar nga Irani, Trampi u shpreh se kjo nuk është më përgjegjësi e ShBA-së.
“Besoj se njerëzit e kuptojnë këtë, do të largohemi shumë shpejt. Nëse Franca apo ndonjë vend tjetër dëshiron të marrë naftë apo gaz, do të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe do të kujdesen vetë për veten e tyre. Mendoj se do të jetë shumë e sigurt, por ne nuk kemi më lidhje me këtë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, presidenti i Iranit tha se vendi është i gatshëm të ndalojë luftimet nëse nuk sulmohet më. Ministria e Jashtme iraniane theksoi se ekziston një mungesë e thellë besimi ndaj Uashingtonit, pasi në të kaluarën negociatat kanë përfunduar me marrëveshje të shkelura dhe veprime ushtarake.
“Niveli i besimit është zero. Kur ata propozojnë negociata, gjëja e parë për ne është të vlerësojmë sa të sinqertë janë. Nuk shohim sinqeritet dhe për të ndërtuar besim duhen hapa të mëdhenj.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Iranit, Abas Aragpçi.
Ndërkohë, Benjamin Netanjahu, kryeministri i Izraelit, deklaroi se do të shkatërrojnë industrinë ushtarake të Iranit në ditët në vijim. Ai shtoi se deri më tani janë goditur rreth 2.500 objektiva në Liban dhe janë eliminuar mbi 900 militantë të Hezbollah.
“Para operacioneve luftonim vetëm kundër Iranit. Sot luftojmë krah për krah me ShBA-në, në një bashkëpunim historik të paparë. Ne do të vazhdojmë ta shkatërrojmë regjimin e terrorit, do të forcojmë zonat e sigurisë përreth nesh dhe do të arrijmë objektivat tona.”, - u shpreh kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Lufta amerikano-izraelite në Iran ka tensionuar marrëdhëniet mes Evropës dhe ShBA-së. Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, deklaroi se marrëdhënia me NATO-n duhet të rishqyrtohet.
“Fatkeqësisht, do të na duhet të rishqyrtojmë nëse kjo aleancë, që i ka shërbyer mirë këtij vendi për një kohë të gjatë, vazhdon ta kryejë këtë funksion, apo është bërë një rrugë njëkatëshe, ku Amerika thjesht është në pozitë të mbrojë Evropën. Por, kur ne kemi nevojë për ndihmën e aleatëve tanë, ata do të na mohojnë të drejtat për baza ushtarake dhe do të na ndalojnë fluturimet mbi territorin e tyre.”, - deklaroi sekretari amerikan, Marko Rubio.
Ndërkohë, vendet evropiane distancohen nga ky konflikt, duke vlerësuar se ai dëmton interesat e kontinentit. Britania e Madhe, si një nga shtetet më të fuqishme në Evropë dhe anëtare kyçe e NATO-s, ka shprehur qartë qëndrimin e saj.
“Po e them edhe njëherë! Kjo nuk është lufta jonë. Ne nuk do të tërhiqemi në këtë konflikt. Kjo nuk është në interesin tonë kombëtar. Ndërsa po punojmë me shpejtësi për uljen e tensioneve dhe paqen, është tashmë e qartë se ndikimi i kësaj lufte do të prekë të ardhmen e vendit tonë.”, - theksoi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
ShBA-ja dhe Izraeli kanë kryer sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran dhe Libanin jugor, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Si kundërpërgjigje, Irani ka goditur pjesën qendrore të Izraelit, ku raportohet për 14 të plagosur.
FARIJE DAUTI BAKIU
