Maqedoni

Gjykimi për vetëvrasjen e Ivanës me vajzën, dëshmitë zbulojnë dhunën e vazhdueshme

01.04.2026 15:19

Dëshmia e Martin Sazdovit zbulon dhunë, përpjekje për shpëtim dhe momentin fatal të Ivana Jovanovskës dhe vajzës së saj.

Në Gjykatën Penale në Shkup dëshmia e Martin Sazdovit zbulon dhunë, përpjekje për shpëtim dhe momentin fatal të Ivana Jovanovskës dhe vajzës së saj. Dëshmia tronditëse e Martin Sazdovit në gjykatë ka zbuluar dramën që po përjetonte Ivana, e cila në një akt të rëndë, u hodh nga tarraca duke mbajtur në krahë vajzën e saj, Katjan, pas një periudhe të gjatë dhune dhe presioni psikik. Sazdovi rrëfeu se kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për ta ndihmuar Ivanën dhe për ta larguar nga i akuzuari Stojançe, i cili, sipas tij, e kishte keqtrajtuar vazhdimisht fizikisht dhe emocionalisht. 
 
“E luta shumë herë të shkonte te nëna e saj, i thosha se kjo situatë nuk është normale dhe se një ditë mund të përfundojë keq. Doja ta shpëtoja, por ajo kishte frikë se do të mbetej pa strehë dhe të humbë banesën për të cilën paguante kredi.”, - deklaroi Sazdovi.
 
Sipas tij, dita kritike ishte e mbushur me dhunë, Stojançe e kishte rrahur Ivanën në rrugë dhe në veturë, madje në një moment edhe e kishte kapur për fytyre deri sa ajo kishte humbur ndjenjat. Sazdovi sqaroi se disa herë kishte ndërhyrë për t’i ndarë dhe për të parandaluar pasoja më të rënda. Edhe pse Ivana kishte thirrur policinë dhe kishte raportuar dhunën, reagimi, sipas dëshmisë, ka qenë i pamjaftueshëm. Momenti më i rëndë, sipas Sazdovit, ndodhi pak më vonë, kur Ivana e telefonoi me kamerë të hapur duke filmuar momentin e ngjarjes tragjike. 
 
“E pashë në ekran duke qëndruar në tarracë me vajzën në krahë dhe menjëherë kuptova çfarë do të bënte. Fillova të bërtas që të mos e bënte, por pas pak sekondash dëgjova një zhurmë të fortë.”, dëshmoi ai. 
 
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinion, duke hapur sërish debat për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe përgjegjësinë e institucioneve.
 
FLORIJE KAMBERI