Kosovë, Bajrami: Mos stabiliteti dëmton integrimet
Mos zgjedhja e presidentit të shtetit...

Mos zgjedhja e presidentit të shtetit dhe dilema për jetëgjatësinë e përbërjes aktuale të Kuvendit, po ndikon edhe në proceset eurointegruese të Kosovës, vlerëson deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila është edhe kryetare e komisionit kuvendor për Integrime Evropiane.
Sipas saj, stabiliteti institucional është kusht në procesin eurointegrues.
“Çështja e stabilitetit institucional është gati kusht për secilin hap në integrimin evropian. Unë po shpresoj shumë se ne do të mundemi të zgjedhim. Unë nuk po shoh asnjë hap konkret.”, - deklaroi Hykmete Bajrami nga LDK.
Gashi: LVV e gatshme, ta zgjedhim presidentin
Ndërsa Liza Gashi nga Vetëvendosje thotë se si parti janë të gatshme për zgjedhjen e presidentit.
“Ne jemi të hapur për ta zgjedhur presidentin. Unë po gëzohem që kjo pritet.”, - theksoi Liza Gashi nga LVV.
Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se do t’i ftojë në takime liderët opozitarë për të diskutuar rreth sigurimit të 80 votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit, për të mos e çuar Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë apel te liderët e partive politike që të arrihet kompromis për zgjedhjen e presidentit që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani skadon më 4 prill. Nëse deri atëherë nuk zgjidhet presidenti i ri, postin e presidentes do ta ushtrojë përkohësisht kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ndërkaq, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 25 marsit, nëse brenda 34 ditësh nuk zgjidhet presidenti i ri i shtetit, Kosova automatikisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. (Gyltene Sinani, TVM2)
