Maqedoni

Procesi eurointegrues, Mickoski: S’lëshojmë asnjë milimetër pa garanci

01.04.2026 15:40

Qeveria mbetet në qëndrimin se nuk do të ketë asnjë lëshim...

Qeveria mbetet në qëndrimin se nuk do të ketë asnjë lëshim, madje nuk do të lëviz as edhe një milimetër pa garanci për identitetin maqedonas dhe të drejtat e maqedonasve në Bullgari, theksoi kryeministri Mickoski. Sipas tij, LSDM i sheh proceset e eurointegrimit si shitje të identitetit kombëtar. 
 
“Mënyra se si LSDM i sheh proceset eurointegruese janë shitje të identitetit kombëtar. Ata janë indi i butë i identitetit maqedonas dhe në këtë mënyrë e rrezikojnë të gjithë strategjinë që ne si Qeveri po e ndërtojmë. VMRO-DPMNE nuk do të hyjë në çfarëdo aventure derisa të ketë një fund të qartë, së pari, dhe së dyti, derisa të garantohen të drejtat e njeriut të komunitetit maqedonas tek fqinji ynë lindor. Nuk do të lëvizim as edhe një milimetër. Do të presim. Nëse jo ne, do t’ua përcjellim atyre që do të vijnë pas nesh. Nëse as ata nuk ia dalin, atëherë atyre që do të vijnë pas tyre. Identiteti maqedonas nuk ka më hapësirë për t’u shitur.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Mickoski po e mban vendin larg BE-së
 
Nga ana tjetër është kundërpërgjigjur lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili thotë se nëse tani nuk bëhet ky hap, rrezikojmë ta humbasim momentin e zgjerimit. Ai e akuzoi Mickoskin se ka tradhtuar interesat kombëtare maqedonase. Sipas tij, refuzimi i procesit të eurointegrimit është vetëm një perde, sepse identiteti dhe gjuha maqedonase janë të mbrojtura.
 
“E gjithë kjo, ky konfirmim i kryeministrit se nuk do të bëjë asnjë hap për eurointegrimet është konfirmim se ai po zbaton interesat ruse, të mos kemi integrim, të mbetemi një zorrë qorre e Ballkanit. Mickoski sot e konfirmoi tradhtinë ndaj interesave kombëtare maqedonase. Sot konfirmoi se nuk dëshiron që vendi të hyjë në Bashkimin Evropian dhe se do ta mbajë në izolim, larg Evropës.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Filipçe shtoi se do t’i kundërvihet fuqishëm qëndrimit të Qeverisë përmes aktiviteteve partiake dhe se do të punojnë për procesin eurointegrues jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon.
 
ARMEND MURSELI