Shkup, Samiti fetar në Shkup me mesazhe për paqe

01.04.2026 15:52

Dita e tretë e Samitit të liderëve fetarë ballkanikë...

Dita e tretë e Samitit të liderëve fetarë ballkanikë, që po mbahet në Shkup, u karakterizua me takime të nivelit të lartë institucional, duke i dhënë peshë të veçantë këtij organizimi.

Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai, së bashku me kryetarin e Dijanetit të Turqisë, Ali Erbash, dhe delegacionet përkatëse u pritën nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.

Takime u realizuan edhe me drejtoreshën e Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare, Olivera Trajkovska.

Sipas Fetait një nga konkluzionet kryesore ishte që faktori fetar islam në Ballkan të luajë rol aktiv në promovimin e paqes dhe solidaritetit, si dhe të intensifikohet bashkëpunimi mes bashkësive islame.

“Një apel të gjithë opinionit për të kultivuar paqen, afrimin mes kombeve, sepse ato janë porosi të Islamit. Ka qenë aktual ky Samit, sepse kuptohet se tani kemi vatra lufte në botë dhe ky ishte një apel që të kemi kujdes, të ruajmë stabilitetin, paqen dhe tolerancën.”, - u shpreh kryetari i BFI-së, Shaqir Fetai.

Në përfundim, nga Samiti u theksua nevoja për bashkëpunim më të madh mes të gjitha bashkësive fetare në Ballkan, si dhe organizimi i takimeve të përbashkëta në të ardhmen, me qëllim forcimin e paqes dhe bashkëjetesës në rajon. (Sanije Duraku, TVM2)