Shtyhet gjykimi për policët në rastin “Puls”, Andonova: S'ka vend për zvarritje, kemi prova

01.04.2026 16:11

Seanca gjyqësore për rastin e zjarrit tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan...

Seanca gjyqësore për rastin e zjarrit tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku të akuzuar janë 13 zyrtarë policorë, është shtyrë për më 20 prill, pas kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarve.

13 policët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Pavarësisht anulimit, prokurorja e re e rastit, Spasenka Andonova, dërgoi një mesazh të qartë se Prokuroria është plotësisht e përgatitur dhe e bindur në provat që ka në dispozicion.

“Prokuroria në çdo rast që ngremë aktakuzë, do të thotë se jemi të bindur seriozisht në provat që kemi dhe që do t'i prezantojmë në procedurë të mëtejme gjyqësore.”, - deklaroi prokurorja publike, Spasenka Andonova.

Shtyrja e seancës erdhi pasi avokatët e të akuzuarve njoftuan për angazhime në një rast tjetër me prioritet, ndërsa gjykata kërkoi që në të ardhmen të sigurohet prezencë adekuate për të mos penguar zhvillimin e procesit.

Nga ana tjetër, gjykata reagoi edhe për dorëzimin e vonuar të provave dhe dokumenteve, duke paralajmëruar se këto vonesa ndikojnë drejtpërdrejt në zgjatjen e procedurës dhe efikasitetin e gjykimit.

Rasti lidhet me zjarrin e 16 marsit 2025 në diskotekën “Puls”, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan një nga tragjeditë më të rënda në vend. (Florije Kamberi, TVM2)