Maqedoni

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Kostadinovski në vizitë dyditore në Athinë

02.04.2026 09:09

Kostadinovski po qëndron në një vizitë pune dyditore në Athinë...

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, po qëndron në një vizitë pune dyditore në Athinë, me qëllim takimesh me përfaqësues të institucioneve më të larta gjyqësore në Greqi.
 
Në kuadër të vizitës, Kostadinovski shoqërohet nga kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani. Sipas agjendës, ata do të zhvillojnë takime me kryetarë dhe përfaqësues të Gjykatës Supreme, Këshillit të Shtetit dhe Gjykatës së Revizionit të Greqisë.
 
Vizita ka për qëllim vazhdimin e dialogut, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e përvojave dhe informacioneve në fushën e sundimit të ligjit, me synim përfundimtar forcimin e sigurisë juridike.
 
Vizita realizohet në periudhën 1–3 prill, me ftesë të Sotiros Georgiadis, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Athinë dhe i angazhuar përkohësisht në Shërbimin Special Juridik pranë Ministrisë së Drejtësisë së Greqisë.