Rajon

Tiranë, alarm për kërcënim nga Irani, debat në Kuvend

02.04.2026 13:55

Një paralajmërim i ambasadës amerikane ndaj qytetarëve të saj në Shqipëri nxiti debate të ashpra në Kuvend....

Një paralajmërim i ambasadës amerikane ndaj qytetarëve të saj në Shqipëri, mbi rrezikun e sulmeve nga Irani në vendin tonë nxiti debate të ashpra në Kuvend. Opozita kërkoi raportim nga Qeveria për situatën dhe i bëri thirrje presidentit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
 
“Ne si deputetë s’kemi asnjë informacion mbi çështjet që trajtonte njoftimi i ambasadës.”, - theksoi kreu i grupit PD, Gazmend Bardhi.
 
Në një linjë, opozita në Kuvend kërkoi reagimin e institucioneve pas gjendjes së alarmit nga ambasada amerikane, se Irani mund të shënjestrojë Shqipërinë. Arsyet e një sulmi të mundshëm, thonë se janë të qarta.
 
“Shqipëria ka një konflikt të hapur me Iranin qëkur ka pranuar opozitën, ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike, ka miratuar një rezolutë për ta shpallur gardën revolucionare terroriste. Kërkojini presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.”, - theksoi kreu i PR-së, Fatmir Mediu. 
 
“Jep hesap para drejtësisë se ke vrarë 26 vetë na bën si përfaqësues i kongresit.”, - u shpreh kreu i grupit PS, Taulant Balla.
 
Tre ministra të kabinetit qeveritar, folën brenda e jashtë sallës së Kuvendit, për qetësinë që duhet ruajtur, në kushtet kur sipas tyre, nuk ka asnjë rrezik potencial për sulme.
 
“Siguroj gjithkënd, se ne i ndjekim me shumë seriozitet si deklaratat e partnerëve, jemi në kontakt me Uashingtonin dhe NATO-n. S’ka arsye për të qenë të alarmuar.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.
 
“Nuk ka vend për t’u shqetësuar.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
 
“Policia ka marrë masa të shtuara sigurie, jo lidhur me postimin e djeshëm, por prej disa kohësh. Ka plan veprimi me të gjithë strukturat.”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
 
Ambasada amerikane paralajmëroi të mërkurën në mbrëmje në një njoftim publik qytetarët e saj në Shqipëri, se grupe të lidhura me Iranin mund të synojnë vende të zakonshme si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
 
LULJETA NDOKA