Maqedoni

Prokurorja Lençe Ristoska dha dorëheqje, deklaroi për presion dhe ndërhyrje

02.04.2026 14:14

Prokurorja Publike Lençe Ristoska ka dhënë dorëheqje vetëm një ditë pasi prokurori i ri publik i shtetit mori vendim që ajo të përjashtohet nga lëndët “Talir 1” dhe “Talir 2”...

Prokurorja Publike Lençe Ristoska ka dhënë dorëheqje vetëm një ditë pasi prokurori i ri publik i shtetit, Nenad Saveski, mori vendim që ajo të përjashtohet nga lëndët “Talir 1” dhe “Talir 2”, të lidhura me VMRO-DPMNE-në. Ristoska si arsye për dorëheqjen ka përmendur presionet dhe mungesën e perspektivës për veprim në përputhje me vizionin e saj për një prokurori që funksionon jashtë ndikimeve politike, që mbron profesionistët dhe mbron interesin publik në mënyrë të qëndrueshme dhe pa seleksionim.
 
“Puna në raste të profilit të lartë krijon edhe armiq të profilit të lartë të tillë që përdorin fuqinë, ndikimin dhe lidhjet e tyre për të shmangur përgjegjësinë dhe për t’ju larguar nga qëllimi juaj. Kjo nënkuptonte pengesa në nivele të ndryshme, institucionale dhe personale.", ka deklaruar Ristoska. 
 
Ristoska: VMRO-DPMNE pjesë e problemit në drejtësi
 
Më herët, Këshilli i Prokurorëve Publikë unanimisht e kishte refuzuar iniciativën e saj, në të cilën ajo pretendonte se mbi pavarësinë e saj kishte pasur ndikime dhe presione të jashtme, veçanërisht për shkak të veprimit të saj në lëndë kundër VMRO-DPMNE-së. 
 
“Këtë javë, Këshilli i Prokurorëve Publikë e hodhi poshtë ankesën time për sulm ndaj integritetit dhe pavarësisë sime, ndërsa Prokurori i Shtetit mori vendim për tërheqjen e autorizimeve për përfaqësim në lëndë kyçe që janë në fazë përfundimtare. Konsideroj se këto vendime e dobësojnë seriozisht pozitën e Prokurorisë dhe sjellin rreziqe konkrete për epilogun e rasteve që synojnë korrupsionin e lartë dhe krimin.”, ka theksuar ajo. 
 
Pas dorëheqjes së Ristoskës, reaguan edhe nga VMRO-DPMNE, duke deklaruar se vizioni i saj për një prokurori të fortë dhe të pavarur papritmas është zëvendësuar me një narrativë për gjoja presione dhe cenim të integritetit.
 
“Ristoska flet për dobësim të institucioneve, por pikërisht ajo ishte pjesë e këtij procesi. Një sjellje e tillë, që kushtëzon angazhimin personal me funksionin, është problemi thelbësor që prej vitesh e shkatërron besimin në sistemin e drejtësisë. Në vend të vazhdimësisë dhe profesionalizmit, po shohim parimësi selektive, ku institucionet janë të mira kur vendimet janë në favorin tonë, dhe të këqija kur nuk janë.”, thuhet në reagimin e partisë. 
 
Saveski: Vendimi ishte organizativ, jo personal
 
Ndaj dorëheqjes reagoi edhe Prokurori i Shtetit, Nenad Saveski, i cili theksoi se vendimi i tij nuk ishte personal, por i natyrës organizative. 
 
“Vendimi për tërheqjen e të gjitha autorizimeve të dhëna nga paraardhësit e mi nuk është personal dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar kundër punës së prokurores Ristoska. Ai është vendim organizativ me qëllim rritjen e efikasitetit në veprimin e Prokurorisë. Të gjitha vendimet që kam marrë dhe që do të marr janë në funksion të garantimit të pavarësisë dhe autonomisë së Prokurorisë Publike.”, thuhet në deklaratën me shkrim të kryeprokurorit Saveski.
 
FLORIJE KAMBERI