Maqedoni

Tetovë, nis ndërtimi i segmentit Tetovë - Prizren

02.04.2026 14:36

Atë që nuk e realizuan me vite as qeveritë e mëparshme dhe as kjo aktuale, po e nis Komuna e Tetovës....

Atë që nuk e realizuan me vite as qeveritë e mëparshme dhe as kjo aktuale, po e nis Komuna e Tetovës. Me iniciativë të komunës dhe në krye me kryetarin Bilall Kasami, janë ndarë mjete për ndërtimin e qarkores mbi fshatin Shipkovicë, që konsiderohet hapi i parë drejt realizimit të rrugës Tetovë - Prizren. Kasami njoftoi se tashmë është përzgjedhur operatori dhe kanë nisur punimet në terren.
 
“Bëhet fjalë për një projekt që është pjesë e segmentit të rrugës Tetovë - Prizren, konkretisht qarkorja mbi fshatin Shipkovicë, për të cilën Komuna e Tetovës ka ndarë mjete. Në bazë të procedurave të tenderimit është përzgjedhur operatori që do të bëjë depërtimin, punët përgatitore dhe projektimin e rrugës. Kjo është pjesë e segmentit Tetovë - Prizren.”, - deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Sipas Kasamit, segmenti i parë i rrugës Tetovë - Prizren do të lidhet me rrugën rajonale Tetovë - Kodra e Diellit. Do të ndërtohet qarkorja mbi Shipkovicë deri në dalje të fshatit, ndërsa pjesa tjetër do të shfrytëzojë trasenë ekzistuese, me ndërhyrje për zgjerim.
 
“Segmenti do të fillojë nga rruga Tetovë - Kodra e Diellit, në kthesën mbi Shipkovicë dhe do të vazhdojë deri në dalje të fshatit, tek ura mbi lumë. Pjesa tjetër e rrugës Tetovë - Prizren do të jetë në trasenë ekzistuese, por do të nevojitet zgjerim. Sipas informatave nga terreni, tashmë është bërë identifikimi i trasesë dhe do të vazhdojnë punimet për depërtimin e rrugës.”, - theksoi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Ndërkohë, në pjesën e Kosovës punimet për rrugën Tetovë - Prizren tashmë kanë nisur. Qeveria e Kosovës deri më tani ka ndarë rreth 2 milionë euro për projektin. Projekti parasheh edhe ndërtimin e një tuneli rreth 6.4 kilometra, i cili pritet të realizohet me bashkëfinancim nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Kosovës. Kostoja totale e projektit vlerësohet rreth 200 milionë euro.
 
VISAR SADIKI