Maqedoni
LSDM me padi penale për Slaveskin, ka dëmtuar buxhetin dhe ka shkelur rendin juridik
02.04.2026 14:50
LSDM ka dorëzuar padi penale kundër guvernatorit të Bankës Popullore për dyshime për “punë të pandërgjegjshme në shërbim”....

LSDM ka dorëzuar padi penale kundër guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Slaveski, për dyshime për “punë të pandërgjegjshme në shërbim”. Sipas socialdemokratëve, janë tejkaluar afatet ligjore për zgjedhjen e zëvendësguvernatorëve, ndërsa pas përfundimit të mandateve kanë vazhduar pagesat dhe vendimmarrja në Këshillin e Bankës me përbërje që e konsiderojnë të kontestueshme.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se guvernatori Trajko Slaveski përmes sjelljes së pamatur ka shkaktuar dëme Buxhetit dhe rendit ligjor. Së pari afati ligjor për propozimin e zëvendësguvernatorëve është tejkaluar, gjë që, direkt ka rrezikuar funksionimin e Bankës Popullore dhe së dyti, ka indikacione serioze se pas skadimit të mandateve, individëve të caktuar u janë paguar paga për funksione që nuk e kanë pasur të lejuar që t’i kryenin.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq.
Nga Banka Popullore kohë më parë njoftuan se procedurat janë ndjekur në përputhje me ligjin dhe se propozimet për zëvendësguvernatorë tashmë janë dorëzuar në Kuvend, ku pritet vendimi përfundimtar. Ndërsa Slaveski dit më parë tha se nuk ndjen përgjegjësi dhe se zëvendësguvernatorët aktualë ushtrojnë detyrën deri sa të zgjidhen pasardhësit.
SANIJE DURAKU
