Maqedoni
Gjykimi për vetëvrasjen e Ivanës me vajzën, dëshmitarët sqarojnë për njohuritë mbi dhunën
02.04.2026 14:56
Në seancën e sotme gjyqësore dëshmoi mësuesja e vajzës së vogël, një fqinje e tyre dhe vëllai i Ivanës....

Në seancën e sotme gjyqësore për vdekjen tragjike të Ivanës dhe vajzës së saj të mitur, Katja, të cilat humbën jetën pasi ranë nga ballkoni, dëshmoi mësuesja e vajzës së vogël, një fqinje e tyre dhe vëllai i Ivanës. Mësuesja theksoi se nga gjyshja e Katjës ishin informuar se nëna e saj, Ivana, ishte viktimë e dhunës familjare, për çka ishte njoftuar edhe psikologu i shkollës.
"Një ditë vajzat po luanin dhe vura re se Katja ra në tokë. I pyeta nëse po luanin ndonjë lojë apo po bënin dramatizim të ndonjë tregimi. Katja tha se kur babai e rrihte nënën e saj, ajo binte kështu. Menjëherë njoftova psikologen dhe ajo bisedoi me Katjën. Katja i kishte thënë se prindërit e saj janë të divorcuar dhe se ajo jeton me nënën. Psikologia e thirri Ivanën në bisedë dhe e udhëzoi se ku të drejtohej në rast dhune familjare.".
Në seancë dëshmoi edhe një fqinje nga ndërtesa ku jetonin Ivana dhe Katja, e cila tha se për një kohë të gjatë në ndërtesë dëgjoheshin britma, goditje dhe zëri i Katjës, ndërsa theksoi se dy herë e kishte paraqitur rastin në polici.
"Unë personalisht dy herë kam thirrur policinë nga stacioni policor në Karposh. Ngjiteshim bashkë nëpër kate për të zbuluar nga vinte zhurma dhe rrahja. Inspektori i parë ishte korrekt, shënoi se nuk gjetëm asgjë, sepse nga korridori nuk dëgjohej. Zhurmat dëgjoheshin vertikalisht, nëpër banesa. Polici i dytë që erdhi ishte shumë i ashpër dhe nervoz, trokite nëpër banesa dhe pyeste në cilin kat është. I thashë se nuk e di, por e di që është mbi mua. Trokiti në disa banesa, pas së cilës më kërcënoi se do të përballem me kallëzim penal për denoncim të rremë.", dëshmoi fqinja.
Në seancë dëshmoi edhe vëllai i Ivanës, i cili sqaroi për relacionet familjare të Ivanës. Tha se nga viti 2025 ka vërejtur dhunën familjare. Me këto tre dëshmi përfunduan dëshmitarët e Prokurorisë, ndërsa nga jave e ardhshme pritet të shpalosen dëshmitë materiale.
FLORIJE KAMBERI
