Rajon
Kurti: Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete
02.04.2026 15:05
Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe as nuk shpërndahet...

Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe as nuk shpërndahet, ka deklaruar para deputetëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të cilit këtë e ka konfirmuar edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Pas këtij vendimi Kosova nuk ka boshllëk institucional, por detyra të qarta për aktorët politikë, ka thënë Kurti.
“Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike dhe mbi të gjitha është vërtetuar e dëshmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese tani që Presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit as nën presion të afateve e të paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet. Tani pas qartësimit dhe vërtetimit të kësaj të vërtete të pamohueshme, sot nuk kemi një boshllëk institucional përpara nesh, por kemi një detyrë të qartë.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Haradinaj: LVV po pret që Haxhiu të jetë u.d. presidente
Pas afatit shtesë prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit, Kurti ka paralajmëruar se do t’i thërrasë liderët e partive opozitare për konsultime lidhur me sigurimin e 80 votave për zgjedhjen e presidentit të shtetit, pa saktësuar se kur do të ndodhë kjo. Por, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se Kurti po e pret skadimin e mandatit të Osmanit më 4 prill, kur kryeparlamentarja Albulena Haxhiu do të marrë ushtrimin e këtij posti, para se të nisë konsultimet me opozitën.
“LVV e ka një plan në kohë. Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten para datës 5. Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre.”, - theksoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në pritje të ftesës për takime, PDK-ja opozitare mbetet në qëndrimin që propozimi i presidentit të shtetit t’i takojë asaj. Ndërsa LDK kërkon marrëveshje politike ose zgjedhjen e një presidenti konsensual.
GYLTENE SINANI
