Botë
ShBA pranë arritjes së objektivave, Tramp: Nuk kemi nevojë për Ngushticën e Hormuzit
02.04.2026 15:15
Tramp deklaroi se forcat amerikane në Iran janë pranë përfundimit të misionit të tyre...

Forcat amerikane në Iran janë pranë përfundimit të misionit të tyre, deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, në një fjalim drejtuar kombit. Ai ju bëri sërish thirrje aleatëve që të marrin përsipër sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se ShBA-ja nuk varet më nga ky korridor për furnizim me naftë. Deklaratat e tij shkaktuan rritje të çmimeve të naftës dhe rënie të aksioneve, pasqyruese të pasigurisë për konfliktin dhe furnizimin global me energji.
“Shtetet e Bashkuara pothuajse nuk importojnë fare naftë përmes Ngushticës së Hormuzit dhe nuk do të kenë nevojë as në të ardhmen. Ne nuk kemi nevojë për të. E kemi mposhtur dhe shkatërruar plotësisht Iranin, ushtarakisht, ekonomikisht dhe në çdo mënyrë tjetër. Vendet që marrin naftë përmes këtij kalimi duhet të kujdesen vetë për të. Ne do të ndihmojmë, por ato duhet të marrin rolin kryesor në mbrojtjen e naftës nga e cila varen aq shumë. Kam një sugjerim: së pari, blini naftë nga ShBA-ja, kemi me bollëk dhe së dyti, tregoni pak guxim. Duhej ta kishit bërë më herët, së bashku me ne, siç kërkuam.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Japonia u shpreh optimiste se negociatat mes ShBA-së dhe Iranit do të shkojnë në drejtimin e duhur, ndërsa Kina bëri thirrje për ulje të tensioneve. Australia kërkon më shumë qartësi në lidhje me qëllimin përfundimtar të luftës në Iran.
“E kuptoj që Trampi shpjegoi rëndësinë e veprimeve të fundit dhe situatën aktuale. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar dhe për Japoninë që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme, përfshirë sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.”, - theksoi sekretari i Qeverisë Japoneze, Minoru Kihara.
“Kina i bën thirrje menjëherë palëve të përfshira në luftën në Iran të ndalojnë operacionet ushtarake dhe të fillojnë sa më shpejt procesin e bisedimeve për paqe. Mjetet ushtarake nuk zgjidhin problemet thelbësore, dhe përshkallëzimi i konfliktit nuk i shërben interesave të askujt. Duhet të zgjidhen çështjet përmes dialogut dhe negociatave për të shmangur ndikime të mëtejshme në ekonominë globale dhe sigurinë energjetike.”, - u shpreh zëdhënëse-ministrja e Jashtme e Kinës, Mao Ning.
“Australia nuk u konsultua para fillimit të kësaj lufte. ShBA-ja është një shtet sovran dhe ekonomia më e madhe në botë. Ajo që kam thënë është shumë e qartë: dua të shoh deeskalim dhe më shumë qartësi se si do të përfundojë kjo situatë.”, - deklaroi kryeministri australian, Antoni Albanese.
Ndërkohë, presidenti i Iranit, Masud Pezeshkian, në një mesazh drejtuar popullit amerikan, theksoi se vendi i tij nuk ka armiqësi ndaj qytetarëve të zakonshëm amerikanë. Ai i bëri thirrje ShBA-së të ndalojnë luftën, duke paralajmëruar se Republika Islamike do të mbijetojë çdo formë agresioni. Ushtria iraniane thotë se ka rezerva të fshehura armësh dhe kapacitete strategjike prodhimi që nuk janë prekur dhe janë të paprekshme për armiqtë.
“Qendrat për të cilat mendoni se i keni goditur janë të parëndësishme dhe prodhimi ynë strategjik ushtarak zhvillohet në vende për të cilat ju nuk keni dijeni dhe kurrë nuk do të mund t’i arrini. ShBA-ja dhe Izraeli nuk e kuptojnë plotësisht kapacitetin strategjik të madh të Iranit dhe se nuk duhet të mendojnë se kanë shkatërruar arsenalin strategjik dhe kapacitetet prodhuese të Iranit.”, - theksoi zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Ebrahim Zolfaghari.
Lufta në terren vazhdon. Sulme ka pasur në Iran dhe Izrael. Tel Avivi ka dhënë alarmin për sulme të reja nga grupi militant Hezbollah. Irani ndërkohë kreu një nga sulmet më të mëdha me raketa ndaj Izraelit që nga fillimi i konfliktit, pak para festës hebraike, Pashka hebraike.
FARIJE DAUTI BAKIU
