Maqedoni
Kumanovë, ka filluar konferenca e dytë ndërkombëtare shkencore e agrobiznesit “AGRO MAK 2026”
02.04.2026 15:25
Në Shtëpinë e Zejtarëve në Kumanovë ka filluar konferenca e dytë ndërkombëtare shkencore ”AGRO MAK 2026” me temën “Resurset Lokale dhe sfidat globale”...

Në Shtëpinë e Zejtarëve në Kumanovë ka filluar konferenca e dytë ndërkombëtare shkencore ”AGRO MAK 2026” me temën “Resurset Lokale dhe sfidat globale”: Qasje të integruara drejt zhvillimit të qëndrueshëm rural në erën e ndryshimeve klimatike. Konferenca po mbahet në organizim të Dhomës së prodhuesve organik në RMV, kurse qëllimi është që të këmbehen njohuritë dhe përvojat, si dhe idetë në lëmin e bujqësisë dhe agrobiznesit.
“Kam kënaqësinë që të marr pjesë në cilësinë e zëvendësministrit të MASh-it, me qëllim për të marr informata nga profesorët dhe të gjithë pjesëmarrësit në lidhje me idetë e tyre për zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi, për inovacione në sferën e bujqësisë. Duke e pasur parasysh se bujqësia është një degë e rëndësishme për shtetin tonë, marr parasysh edhe kushtet klimatike që i ka shteti jonë, kështu që mendojmë se ky është një organizim që do të japë kontribut dhe ide të reja edhe neve si ministri, e që më tutje ne t’i implementojmë në sistemin e mësimit në shkollat e mesme profesionale, siç janë shkollat e bujqësisë.”, - deklaroi zëvendësministri i MASh-it në RMV, Driton Sulejmani.
“Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka miratuar programin dhe aktivitetet programore për vitin 2026, ku përpos mbështetjes së këtyre konferencave shkencore fokusohet edhe në nevojat e zgjeruara të thithjes së investimeve të huaja, si dhe turistëve të huaj.”, - theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit në RMV, Zoran Lutkov.
Ndryshe kjo konferencë shkencore e agrobiznesit do të zgjasë tri ditë në tema të ndryshme, që për qëllim kanë avancimin e turizmit, kurse të pranishmëve iu ndanë mirënjohje për pjesëmarrje në konferencë.
FATLUM AQIFI
