Maqedoni

Ali Ahmeti me letër të hapur: Gjuha shqipe e drejtë kushtetuese, jo privilegj

02.04.2026 15:34

“Barazia gjuhësore është themeli i bashkëjetesës në Maqedoni.”...

“Barazia gjuhësore është themeli i bashkëjetesës në Maqedoni.” Këtë mesazh e përsëriti lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një letër të hapur drejtuar institucioneve dhe opinionit publik. Ai thekson se gjuha shqipe nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese, dhe çdo tentativë për ta relativizuar është rrezik për stabilitetin dhe kohezionin e shtetit.  
 
“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje,”, ka shkruar Ahmeti.  
 
Pushteti me qëndrim, Kasami: Nuk lejojmë cenimin e të drejtave
 
Nga ana tjetër, njëri ndër liderët e VLEN-it Bilall Kasami theksoi se Ali Ahmeti ka pasur njëzetë vite kohë që të rregullojë gjërat të cilat i ka cekur dhe këtë sipas Kasamit, nuk e ka bërë. 
 
“I njëjti ka pasur njëzet vite për t’i zgjidhur këto probleme, të cilat sot na i ka lënë trashëgimi. Por, ajo që mund të them është se as Ligji për Gjuhët, as gjuha shqipe dhe asnjë e drejtë e siguruar e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në Maqedoni, në asnjë mënyrë nuk do të cenohet dhe për këtë garanton kjo qeveri.”, - theksoi Bilall Kasami nga VLEN. 
 
Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Kasami tha se dhe kjo përbërje e kësaj gjykate është trashëgimi nga qeveria e kaluar. 
 
ERSAN PAJAZITI