Maqedoni
Nis projekti 400 kv në Qafëthanë, Mickoski: Hap i rëndësishëm për energjinë rajonale
02.04.2026 15:51
Mickoski qëndroi sot në Struga, ku mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit për ndërtimin e largpërçuesit 400 kilovolt në afërsi të kufirit në Qafthanë...

Kryeministri i Hristijan Mickoski qëndroi sot në Struga, ku mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit për ndërtimin e largpërçuesit 400 kilovolt në afërsi të kufirit në Qafthanë. Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit energjetik ndërkufitar dhe rritjes së sigurisë energjetike në rajon.
“Linja e re e interkoneksionit Manastir–Elbasan nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por një hap strategjik për lidhje më të fortë, stabilitet dhe të ardhme të përbashkët mes dy vendeve. Ndërtimi i linjës 400 kv, me gjatësi rreth 100 kilometra, mbyll boshllëkun e kahershëm në rrjetin energjetik të Korridorit 8, duke bërë që vendi për herë të parë të jetë plotësisht i lidhur me të gjitha sistemet elektroenergjetike fqinje.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Autoritetet theksuan se investimi do të kontribuojë në stabilitetin e rrjetit dhe në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik.
“Me realizimin e këtij projekti, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria krijojnë një lidhje të re të fuqishme dhe strategjike energjetike, e cila do të përforcojë sigurinë në furnizim, do të garantojë stabilitetin e sistemit të transmetimit dhe do të hapë mundësi të reja për integrim më të thellë në tregun rajonal evropian të energjisë.”, - theksoi drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi.
U theksua gjithashtu rëndësia e transformimit energjetik në rajon. Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi energjetik.
“Nisja e punimeve për linjën 400 kilovolt ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por është një investim për sigurinë, zhvillimin dhe integrimin tonë të përbashkët evropian.”, - u shpreh Enea Karakaci.
Projekti i largpërçuesit 400 kv në Qafëthanë shihet si një investim strategjik që jo vetëm forcon lidhjet energjetike mes vendeve, por edhe hap rrugën për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të integruar energjetike në rajon.
FITORE ISTREFI
