Ekonomi

Xhemail Dauti: Nuk priten ndërprerje në zinxhirin e furnizimit, tregu do të furnizohet normalisht

03.04.2026 12:31

Dauti vlerëson se aktualisht nuk ka pengesa në zinxhirin e furnizimit...

Afaristi Xhemail Dauti vlerëson se aktualisht nuk ka pengesa në zinxhirin e furnizimit, pavarësisht faktit që një pjesë e produkteve importohen nga vende përtej oqeanit. Në një intervistë për emisionin Biznes Plus, ai theksoi se furnizimi është stabil dhe nuk priten ndërprerje as në periudhën e ardhshme.
 
Sipas Dautit, kompanitë kanë planifikuar sasitë për treg dhe nuk ka sinjale për probleme logjistike apo bllokada në transportin ndërkombëtar të mallrave.
 
“Për momentin nuk kemi pengesa në furnizim dhe besojmë se edhe në periudhën e ardhshme nuk do të ketë ndërprerje në furnizimin e sasive që kemi planifikuar të vendosim në treg. Nuk ka paralajmërime për bllokada apo ndërprerje të furnizimeve.”, tha Dauti.
 
Ai shtoi se furnizimi është i diversifikuar në disa kontinente, çka sipas tij e ul rrezikun nga ndërprerjet e mundshme dhe siguron stabilitet në treg.
 
“Vlerësimet tona janë se furnizimi është i shtrirë në disa kontinente dhe nuk ka sinjale për pengesa të mëdha në lëvizjen e mallrave. Furnizimi pritet të jetë normal dhe nuk ka nevojë për krijim të stoqeve shtesë përtej kapaciteteve që kanë vetë kompanitë.”, theksoi Dauti.
 
Ai përfundoi se situata aktuale e furnizimit mbetet e qëndrueshme dhe bizneset nuk shohin nevojë për masa shtesë në këtë fazë.
 
GAZMEND KURTISHI