Ekonomi
Hoxha: Prioritet mbështetja e fermerëve përballë rritjes së çmimeve të naftës
03.04.2026 12:48
Hoxha deklaroi se mbështetja e fermerëve mbetet prioritet i institucioneve...

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, deklaroi se mbështetja e fermerëve mbetet prioritet i institucioneve, veçanërisht në këtë periudhë të rritjes së çmimeve të naftës si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për emisionin Biznes Plus, Hoxha theksoi se institucionet janë të përkushtuara që të mos rëndojnë më tej aktivitetin e përditshëm të fermerëve.
“Ne e kemi prioritet për momentin që, në këtë kohë kur po rriten çmimet e naftës si pasojë e luftës në Iran, të mos ua bëjmë më të vështirë jetën fermerëve tanë apo aktivitetet e tyre të përditshme. Mundohemi të jemi sa më korrekt, sa më në plan dhe sa më të saktë në pagesa dhe besoj se jemi në rrugë të mirë për t’u konsoliduar edhe më tej.”, deklaroi Hoxha.
Vetëm vitin e kaluar janë paguar mbi 9 miliardë denarë subvencione për fermerët. Pagesat vazhdojnë edhe këtë vit për kategori të ndryshme fermerësh.
GAZMEND KURTISHI
